Vetëm 9% e buxhetit publik i dedikohet politikave gjinore dhe nga këto, vetëm 1% shkon për politikat e punësimit dhe arsimit profesional. Këto shifra ngrenë një pyetje thelbësore: sa efektive janë politikat dhe fondet publike në mbështetjen reale të grave dhe vajzave në Shqipëri?

Fuqizimi ekonomik dhe social i grave dhe vajzave nënkupton garantimin e të drejtës së tyre për akses të barabartë, kontroll dhe përfitim nga burimet ekonomike, përfshirë të ardhurat, pasuritë, kredinë, teknologjinë dhe mundësitë për punësim të denjë dhe sipërmarrje. Ai përfshin pjesëmarrje aktive dhe të barabartë në tregun formal të punës, në kushtet e pagës së barabartë, promovimit profesional, mbrojtjes nga diskriminimi dhe sigurimit social, duke synuar rritjen e pavarësisë ekonomike dhe forcimin e rolit të grave në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Ky proces nuk kufizohet vetëm në dimensionin ekonomik. Ai përfshin mbulimin me shërbime adekuate të mbrojtjes sociale, pensione, sigurime, kujdes për fëmijët, si dhe garantimin e mundësisë për të ushtruar zërin e tyre në vendimmarrjen familjare, komunitare dhe institucionale.

Një dimension i pandarë i fuqizimit është e drejta për një jetë pa dhunë, diskriminim apo stereotipe gjinore, si dhe mundësia për të zgjedhur lirshëm mbi arsimin, karrierën dhe pasurinë e tyre, në një mjedis ligjor, social dhe kulturor që i mbështet dhe i garanton këto të drejta.

Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave përbën jo vetëm një detyrim ligjor dhe angazhim ndërkombëtar, por edhe një mekanizëm thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Ai lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Për ta kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje, duhet të reflektojmë mbi realitetet historike dhe shoqërore që kanë karakterizuar trajtimin e grave dhe vajzave, duke prodhuar pabarazi strukturore dhe kufizime sistematike në pozicionin e tyre ekonomik dhe shoqëror.

Përvoja ndërkombëtare dhe të dhënat empirike tregojnë qartë se fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm një instrument për barazi gjinore, por një faktor kyç për rritjen e potencialit zhvillimor të shoqërive, për ndërtimin e ekonomive më të qëndrueshme dhe për forcimin e kohezionit social. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), pjesëmarrja globale e grave në tregun e punës ka rënë nga 51% në vitin 1991 në 49% në vitin 2023, ndërsa për burrat nga 79% në 73% gjatë së njëjtës periudhë, një tregues që dëshmon se progresi global mbetet i brishtë dhe i ngadaltë.

Megjithëse Shqipëria ka ndërtuar një kuadër të konsoliduar ligjor për barazinë gjinore, pabarazitë strukturore dhe sistematike vazhdojnë të kufizojnë potencialin ekonomik dhe shoqëror të grave, veçanërisht atyre në zonat rurale, grave rome dhe atyre me aftësi të kufizuara.

Të dhënat flasin qartë për këto sfida. Gratë përbëjnë rreth 55% të forcës së punës në sektorin e bujqësisë, por drejtojnë vetëm 7% të fermave bujqësore dhe blegtorale. Në përpjekjet për t’u përfshirë në tregun e punës, ato hasin barriera konkrete në aplikime, në hapjen e një biznesi apo në drejtimin e tij, veçanërisht në pronat bujqësore.

Stereotipet gjinore dhe mungesa e shërbimeve të përkujdesit për fëmijët ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e inaktivitetit të grave. Mungesa e çerdheve dhe kopshteve në zonat rurale, si dhe infrastruktura e pamjaftueshme e transportit, përforcojnë këto barriera dhe kufizojnë aksesin e grave në tregun e punës dhe në mundësitë për zhvillim ekonomik.

Gratë kryejnë 96% të punëve të papaguara në shtëpi dhe qëndrojnë jashtë tregut të punës kryesisht për shkak të angazhimit në punë të papaguar (18% e grave kundrejt 1% të burrave), ose për arsye studimi. Ndërkohë, pavarësisht rritjes së përfaqësimit formal, burrat vazhdojnë të mbajnë shumicën e posteve me pushtet politik dhe ekonomik.

Mungesa e çerdheve dhe kopshteve në zonat rurale, si dhe infrastruktura e pamjaftueshme e transportit, përforcojnë këto barriera dhe kufizojnë aksesin e grave në tregun e punës dhe në mundësitë për zhvillim ekonomik.

Në këtë kontekst, raporti “Fuqizimi ekonomik dhe social i grave në Shqipëri – Efikasiteti i politikave dhe fondeve publike”, realizuar nga Together for Life (TFL) me mbështetjen financiare të Ambasadës së Suedisë, ofron për herë të parë një analizë të thelluar të efikasitetit të politikave publike dhe përdorimit të fondeve buxhetore në funksion të barazisë gjinore.

Gjetjet tregojnë se hendeku gjinor në tregun e punës mbetet 12.2%, ndërsa gratë përbëjnë vetëm 15% të përfituesve nga skemat bujqësore dhe 29% të përfituesve nga fondet për sipërmarrje. Politikat publike shpesh janë të përgjithshme dhe jo të targetuara, me mungesë analizash gjinore para dhe pas zbatimit dhe pa një matje të qartë të ndikimit real të fondeve publike në barazinë gjinore.

Përvoja ndërkombëtare tregon se kur gratë kontrollojnë realisht burimet ekonomike, rritja ekonomike përshpejtohet, ndërsa varfëria dhe pabarazitë sociale reduktohen ndjeshëm. Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të intensifikojë zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2023–2030 dhe angazhimet ndaj Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 5, duke kombinuar buxhetimin e përgjigjshëm gjinor, reformimin e sistemit të kujdesit dhe nxitjen e inovacionit financiar të orientuar drejt grave.

Fuqizimi ekonomik dhe social i grave nuk është vetëm një çështje drejtësie sociale. Ai është një investim strategjik për zhvillimin demokratik, ekonomik dhe institucional të Shqipërisë — një kusht thelbësor për ndërtimin e një shoqërie më të barabartë, më të qëndrueshme dhe më konkurruese.

* Ky publikim është përgatitur nga Together for Life në kuadër të Programit të Mbështetjes Themelore, i mbështetur financiarisht nga Ambasada Suedeze në Tiranë . Përgjegjësia për përmbajtjen i takon vetëm Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës Suedeze në Tiranë.