
Kontrata që dha garanci për fitimet e privatit dhe barrën e detyrimeve ia ngarkoi shtetit
Kontrata për ofrimin e shërbimit të kontrollit mjekësor bazë (Check-Up) është një nga rastet më të debatueshme të përdorimit të modelit të Partneritetit Publik Privat në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. E promovuar fillimisht si një ndërhyrje e domosdoshme që do të kishte efekt të menjëhershmen dhe afatgjatë në përmirësimin e aksesit në shërbimet parandaluese, në vitin e dhjetë të implementimit askush nuk dyshon më qe kontrata ka prodhuar efektin e kundërt duke rezultuar me kosto shumë të larta dhe të pajustifikuara, me mungesë totale transparence si dhe ekspozim të lartë të buxhetit të shtetit ndaj riskut financiar.
Një proces i drejtuar pa analizë dhe jashtë kornizës ligjore
Problemet me këtë koncesion kanë filluar që në mënyrën se si është ndërtuar dhe zbatuar procedura për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit mjekësor bazë. Pavarësisht se ligji për koncesionet (Ligji nr. 125/2013) e përcakton qartë se çdo vendimmarrje për ndjekjen e modelit të partneritetit publik-privat duhet të bazohet në një studim fizibiliteti të plotë, i cili përfshin domosdoshmërisht krahasimin ndërmjet modelit PPP dhe prokurimit tradicional publik, autoriteti kontraktues, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e anashkaloi këtë kërkesë ligjore themelore. Krahasimi duhej të kishte vlerësuar se cili model ishte më i favorshëm për shtetin shqiptar në aspektin financiar, operacional dhe afatgjatë. Në vend të një analize të tillë, që do të kishte mundësuar një vendimmarrje të argumentuar, u parapëlqye një qasje e shpejtuar dhe jotransparente, në të cilën që në fillim ishte e paracaktuar që shërbimi do të ofrohej përmes një kontrate koncesionare, madje ky vendim ishte marrë edhe përpara hartimit të vetë studimit të fizibilitetit.
Dokumenti i konsideruar si Studim Fizibiliteti nuk përmban as analizë ekonomike gjithëpërfshirëse dhe as një model krahasues të bazuar në të dhëna statistikore, tregues të vlerës së parasë (value for money), qëndrueshmëri buxhetore apo risk financiar. Ai paraqitet më shumë si një manual për mënyrën e ofrimit të shërbimit, me përshkrime operative dhe teknike, sesa si një dokument i mirëfilltë vlerësimi i modelit të partneritetit, siç kërkohet nga ligji.
Në thelb, mungesa e një studimi të mirëfilltë të fizibilitetit dhe anashkalimi i krahasimit me prokurimin publik, e kthyen këtë projekt nga një mundësi për modernizim të shërbimeve shëndetësore në një model joefikas dhe të padrejtë të menaxhimit të fondeve publike, me pasoja të drejtpërdrejta për financat shtetërore dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Mungesë konkurrencë reale dhe përzgjedhje e dyshimtë e fituesit
Po ashtu, janë evidentuar shkelje të rënda në procedurat për përzgjedhjen e operatorit fitues. Afati i njoftimit i zbatuar për dorëzimin e ofertave ishte vetëm 26 ditë, ndërkohë që ligji përcakton një afat minimal prej 52 ditësh për procedura të tilla me vlerë të lartë. Ky reduktim i afatit ligjor jo vetëm që kufizoi pjesëmarrjen, por ngushtoi artificialisht garën dhe i dha avantazh konkurrues operatorëve të informuar më herët ose të parapërzgjedhur.
Nga pesë ofertues që morën pjesë në procedurë, Autoriteti Kontraktues zgjodhi operatorin që kishte ofruar një çmim më të lartë për njësi (1,537 lekë) dhe mbulim më të kufizuar gjeografikisht, në krahasim me ofertuesin e dytë në renditje që kishte një çmim më të ulët (1,299 lekë), rrjet më të gjerë laboratorësh (26 laboratorë kundrejt 20) dhe një vlerë shumë më të lartë të riinvestimit në pajisje.
Ekspertët theksojnë se vlerësimi është bërë me kritere të paqarta dhe të vendosura në mënyrë joobjektive, në kundërshtim me kërkesat e ligjit për përdorimin e kritereve të matshme dhe me peshë minimale 50% për çmimin.
Më shqetësuese në rastin e këti koncesioni ishte mungesa e përmbushjes së kritereve themelore ligjore nga operatori i shpallur fitues. Nga verifikimi i dokumentacionit ekspertët kanë vërejtur se asnjë nga kompanitë që përbëjnë bashkimin fitues (“Marketing & Distribution” dhe “Trimed”) nuk e kishte si objekt të aktivitetit të tyre ofrimin e shërbimeve laboratorike. Për më tepër, licenca për “shërbime laboratorike” ishte marrë vetëm dy ditë përpara hapjes së garës dhe përfshinte vetëm një pjesë të kufizuar të shërbimeve të parashikuara në kontratë, ndërsa shoqëria tjetër në bashkim, “Trimed”, zotëronte një licencë për tregtim të barnave me shumicë, e cila nuk kishte asnjë lidhje funksionale me objektin e kontratës koncesionare, që kishte në fokus kontrollin mjekësor dhe shërbimet laboratorike.
Autoriteti kontraktor nuk kërkoi nga operatori fitues as dokumente të domosdoshme si: përvojë të ngjashme në projekte të të njëjtës madhësi, listë personeli të kualifikuar, apo kapacitete teknike e operacionale – kërkesa minimale për çdo kontratë publike me ndikim të ndjeshëm në shëndetin publik dhe me vlera financiare kaq të larta. Mungesa e këtyre kritereve e bëri procesin të pambështetur në ligj dhe krijoi hapësirë për përzgjedhje arbitrare dhe favorizuese.
Në mënyrë paradoksale, ndonëse ofertuesi i renditur i dytë kishte përmbushur më mirë shumicën e kritereve të vlerësimit, përfshirë aspektin ekonomik dhe teknik, ai u skualifikua duke i hapur rrugë një fituesi me çmim më të lartë, kapacitete më të dobëta dhe licenca të papërshtatshme. Kështu procedura e ndjekur në rastin e koncesionit të check-up cenoi rëndë parimin e konkurrencës së ndershme, transparencës dhe përdorimit efikas të fondeve publike, duke e kthyer një kontratë me pretendim për përmirësim të shëndetësisë në një rast tipik të vendimmarrjes së njëanshme, të pambështetur në analiza profesionale dhe në shpërfillje të qartë të ligjit.
Kontrata që garantoi fitimin për privatin dhe që rreziqet ia ngarkoi shtetit
Një ndër aspektet më të diskutueshme të kontratës së koncesionit për shërbimin e Check-Up është mekanizmi i garancisë së fitimit për operatorin privat, i cili në mënyrë të paprecedentë ka zhvendosur riskun financiar nga sektori privat tek buxheti i shtetit. Kontrata ka parashikuar që shteti shqiptar paguan për një numër fiks përfituesish, 600 mijë kontrolle mjekësore në vit, pavarësisht nëse ky numër arrihet realisht apo jo. Nëse numri i qytetarëve që kryejnë kontrollin është më i ulët, diferenca paguhet nga fondet publike, duke garantuar të ardhura të sigurta për koncesionarin, pa marrë parasysh performancën apo efektivitetin e shërbimit.
Ky dispozitiv kontraktual përfaqëson një shkelje të qartë të parimeve themelore të Partneritetit Publik Privat (PPP), të cilat kërkojnë që risku të shpërndahet proporcionalisht ndërmjet palëve, në përputhje me kapacitetet, përgjegjësitë dhe përfitimet që ato marrin nga projekti. Në rastin konkret, koncesionari nuk mban asnjë risk real operativ apo financiar, ndërsa shteti mbart të gjithë barrën buxhetore, madje edhe nëse shërbimi dështon të ketë efektivitet apo ndikim të pritshëm shëndetësor.
Për më tepër, në kontratë është parashikuar një vlerë fikse për çdo kontroll (1,537 lekë për kontroll), dhe në asnjë nga nenet e saj nuk duket që kjo vlerë të jetë e lidhur me cilësinë, sasinë apo rezultatet e kontrollit shëndetësor. Edhe ky parashikim duket se është përfshirë me qëllimin e vetëm për të garantuar përfitimin e privatit duke e kthyer pagesën publike në një mekanizëm të garantuar fitimi për koncesionarin.
Ekspertët po ashtu ngrejnë shqetësimin se kontrata nuk ka përfshirë asnjë klauzolë penaliteti apo përgjegjësie për dështim në ofrimin e shërbimit, siç parashikohet zakonisht në kontratat e mirëstrukturuara PPP. Përkundrazi, të gjitha dispozitat që lidhen me mospërmbushje janë të përgjithshme dhe të pafuqishme në zbatim praktik. Mungon një strukturë reale mbikëqyrjeje dhe raportimi, ndërkohë që indikatorët e performancës janë të paqarta ose të papërcaktuara fare.
Bazuar në të gjithë këtë analizë, është e qartë se kontrata e Check-Up nuk është një marrëveshje e ndershme midis shtetit dhe sektorit privat, por përfaqëson një model të deformuar të PPP-së, ku interesat privatë mbrohen me klauzola të njëanshme, ndërsa interesat publike lihen të pambrojtura. Kjo qasje e bën jo vetëm të paefektshëm projektin në raport me objektivat shëndetësorë, por edhe të dëmshëm për besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe menaxhimi i kujdesshëm i fondeve të taksapaguesve.
Rasti i Check-Up evidenton me qartësi se përdorimi i modelit PPP pa analiza të plota dhe pa transparencë mund të prodhojë kosto më të mëdha se përfitimet e pretenduara. Ky projekt nuk ofroi vlerë më të mirë për paratë publike, nuk siguroi konkurrencë reale dhe nuk garantoi ndarje të drejtë të riskut midis shtetit dhe privatit. Në mungesë të përgjegjshmërisë institucionale dhe reflektimit mbi këtë përvojë, ekziston rreziku real që kontrata të tilla të përsëriten në forma të tjera, duke rënduar më tej buxhetin dhe duke cenuar interesin publik.
