
Në vitin 2016, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nënshkroi një kontratë Partneriteti Publik Privat (PPP) për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë spitale rajonale: Shkodër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Korçë. Që në konceptimin e koncesionarit institucioni përgjegjës, Ministria e Shëndetësisë, deklaroi se qëllimi i tij ishte përmirësimi i aksesueshmërisë së pacientëve me insuficiencë renale kronike ndaj shërbimit jetik të hemodializës si dhe lehtësimi i barrës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) në Tiranë, i vetmi institucion në vend që e ofronte këtë shërbim deri në vitin 2016.
Kontrata e koncesionit, u lidh me një vlerë totale prej 7.2 miliardë lekësh për një periudhë 10-vjeçare dhe përfshinte pajisjen, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e qendrave të ofrimit të dializës, ofrimin e shërbimeve, si dhe analizat laboratorike mujore të pacientëve përfitues. Çmimi për një seancë dialize u përcaktua që në kontratë në vlerën e 11 mijë lekë pa TVSH.
Por ndonëse qëllimi i shpallur ishte përmirësimi i cilësisë dhe aksesit, zbatimi i kontratës ka nxjerrë në pah probleme të theksuara që shkojnë përtej menaxhimit teknik dhe lidhen ngushtësisht me eficiencën financiare dhe mbulimin real të nevojave të pacientëve.
Realiteti i shërbimit sot sipas të dhënave zyrtare
Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë, për vitin 2025 deri në muajin mars numri total i pacientëve që trajtohen me hemodializë, nëpërmjet paketës të financuar 100% nga shteti, dhe shërbimi është paguar dhe që mbështeten është 1,477, që e marrin shërbimin në institucione të ndryshme, si më poshtë:
- Spitale publike: 108 pacientë
- Spitale jopublike: 874 pacientë
- Koncesionari: 495 pacientë
Kjo tregon se një pjesë e madhe e barrës së shërbimit përballohet nga institucione jo publike. Megjithatë, problematikat e identifikuara në raportin e shoqatës Together for Life tregojnë se kjo zgjidhje nuk është pa kosto.
Në vitin 2017, pagesat për dy koncesione në shëndetësi, ai i hemodializës dhe ai i sterilizimit, kapën shifrën e 9.5 milionë eurove, ose rreth 6% të totalit të shpenzimeve spitalore, kosto që, për një sistem shëndetësor si ai shqiptar, përfaqëson një përqindje jo të vogël të buxhetit të përgjithshëm.
Një tjetër shqetësim i evidentuar gjatë zbatimit të koncesionarit është mungesa e aksesit të menjëhershëm për rastet akute. Sipas raportimeve dhe informacionit zyrtar, pacientët me komplikacione të rënda nuk mund të trajtohen në qendrat koncesionare pa miratim paraprak nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Kjo procedurë administrative ka rezultuar në vonesa që mund të kenë pasoja serioze për shëndetin e pacientëve.
Për më tepër, QSUNT ka vazhduar të zhvillojë tendera për shërbimin e dializës, edhe pas nënshkrimit të kontratës koncesionare, duke ngritur dyshime mbi mbulimin real dhe efektivitetin e kësaj kontrate.
Raportet e auditimit në FSDKSH për vitin 2022 kanë zbuluar edhe praktika të diskutueshme në aspektin financiar ku rezulton se janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 99 milionë lekë për 8,854 raste të dializës që nuk janë kryer, për shkak të parashikimeve të përfshira në kontratë, sipas të cilave detyrohet subjekti kontraktor, FSDKSH, që të paguajë edhe për shërbime të pakryera, në rastet kur numri i pacientëve që përfitojnë shërbim është më i vogël nga ai i parashikuar në kontratë. Nëpërmjet këtij parashikimi, duket se hartuesit e kontratës nuk janë kujdesur për interesat e shtetit, por për interesat financiare të privatit, i cili në të gjitha rastet është i mbrojtur ligjërisht, ndrësa institucioni kontraktor publik përballet me detyrime që e ngarkojnë me penalitete, dhe ashtu sikurse edhe tre koncesionet e tjera në sektorin e shëndetësisë, nuk kemi një ndarje të drejtë mes palëve (entitet kontraktor dhe entitet i kontraktuar) të rrisqeve, përgjegjësive dhe të drejtave.
Shembulli i koncesionit për hemodializën tregon se nuk mjafton vetëm transferimi i një shërbimi nga publiku tek privati për të garantuar suksesin. Ajo që mungon në të gjitha kontratat koncesionare në sektorin e shëndetësisë është transparenca, kontrolli efektiv dhe fokusimi në interesin e pacientit dhe të sistemit.
Ndaj, vitet e fundit, nga institucionet audituese dhe ekspertët financiarë dhe shëndetësore është sugjeruar me forcë rishikimi i kontratës koncesionare me qëllim jo vetëm përmirësimin e menaxhimit financiar, por mbi të gjitha për të garantuar që pacientët të marrin trajtim cilësor, në kohë dhe pa vonesa burokratike.
Ky shkrim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjeshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile” . Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Together for Life dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian
