
Korrupsioni është ndër plagët më të rënda që po e gërryen shoqërinë shqiptare, duke ndikuar thellësisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve publike. Nga sistemi i drejtësisë te tenderat publikë, nga arsimi te shërbimet shëndetësore, perceptimi i publikut se për të marrë një shërbim duhet të paguash nën dorë është i përhapur. Edhe pse korrupsioni ka prekur shumë sektorë, sektori i shëndetësisë mbetet një ndër më të ndjeshmet, jo vetëm sepse lidhet drejtpërdrejt me shëndetin dhe jetën e njeriut, por para së gjithash pasi ai është një nga sektorët ku qytetarët përballen më shpesh dhe më personalisht me shërbimet publike.
Një studim me pjesëmarrjen e 1000 qytetarëve nga të gjitha qarqet e vendit, realizuar nga shoqata Together for Life, ofron një tablo të zymtë të realitetit: korrupsioni në sistemin shëndetësor nuk perceptohet si një fenomen i rastësishëm, por si një pjesë e përditshmërisë, sistematike, e rrënjosur dhe e pranuar. Vetë qytetarët nuk e shohin më ryshfetin si një devijim, por si një “rregull të pashkruar” por që duhet të ndiqet për të siguruar një shërbim që duhet ta përfitosh falas.
FENOMENI SI SIMPTOMË E NJË SISTEMI QË NUK FUNKSIONON
Tetë në dhjetë qytetarë shqiptarë besojnë se sistemi shëndetësor publik është i korruptuar, një përqindje tronditëse që nuk mund të reduktohet vetëm në “perceptim”, por që pasqyron përvojat e drejtpërdrejta të individëve apo të afërmve të tyre me një nga hallkat e këtij sistemi. Kjo shifër dëshmon për një krizë të thellë besimi dhe për mungesën e ndjeshme të barazisë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore publike në Shqipëri.
Veçanërisht shqetësuese është që ky perceptim është konstant në të gjitha grupmoshat dhe në të dyja gjinitë, duke arritur nivelin më të lartë (85%) te grupmosha 35–54 vjeç, e cila është njëkohësisht edhe grupi që përbën bazën më aktive të përdoruesve të sistemit. Kjo tregon se korrupsioni nuk është një përjashtim, por një përvojë e përsëritur dhe e përhapur, që ndikon drejtpërdrejt në aksesin, barazinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.
Korrupsioni është I përhapur në të gjithë sistemin dhe ka prekur të gjitha nivelet e sektorit të shëndetësisë, megjithatë në disa nivele dhe institucione konstatohet një nivel më I lartë korrupsioni. Spitalet universitare dhe rajonale perceptohen nga publiku si qendrat kryesore të përhapjes së korrupsionit në shërbimet shëndetësore. Mbi 80% e qytetarëve të pyetur mendojnë se spitalet universitare janë “shumë të prekura”, ndërsa 76% thonë të njëjtën gjë për spitalet rajonale. Ky perceptim reflekton nivelin e lartë të varësisë nga pagesat informale të pacientëve në raste të rënda, mungesën e alternativave për marrjen e shërbimeve pa pagesë, si dhe përvojat e përditshme me abuzime të pushtetit profesional.
Megjithatë, edhe në nivelet më të ulëta, si spitalet bashkiake, qendrat e specialiteteve dhe qendrat shëndetësore, perceptimi për korrupsion mbetet i pranishëm, ndonëse më i ulët. Vetëm 7% e të anketuarve mendojnë se qendrat shëndetësore nuk janë aspak të prekura nga korrupsioni, një tregues se edhe instancat më bazike të sistemit nuk gëzojnë besim të plotë.
Korrupsioni në sistemin shëndetësor manifestohet në shumë forma, nga ryshfeti për shërbime që në teori janë falas, tek vonesat e qëllimshme për të nxitur pagesa informale, përzgjedhja preferenciale e pacientëve në bazë të lidhjeve personale ose ndikimit, dhe deri te praktika abuzive në furnizimin me barna apo pajisje. Këto forma dëmtojnë drejtpërdrejt cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe zbehin parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë sociale.
Në një sistem ku qytetarët duhet të paguajnë “nën dorë” për të marrë një shërbim bazë, ndodh një zhvendosje e qartë nga koncepti i shërbimit publik drejt një modeli klientelist, ku kujdesi shëndetësor trajtohet si një mall që blihet dhe jo si një e drejtë themelore. Kjo jo vetëm që minon profesionalizmin dhe etikën e stafit shëndetësor, por gjithashtu ul ndjeshëm cilësinë e përgjithshme të kujdesit, sepse përparësi nuk ka më nevoja mjekësore, por aftësia për të paguar apo për të ndërhyrë.
KORRUPSIONI THELLON PABARAZITË DHE RREZIKON JETËN E MË TË PAMBROJTURVE
Efektet e korrupsionit në sistemin shëndetësor nuk janë neutrale dhe nuk prekin të gjithë në mënyrë të njëjtë. Përkundrazi, ato godasin më rëndë pikërisht ata individë dhe komunitete që ndodhen në pozita të pafavorshme ekonomike, sociale apo gjeografike. Të moshuarit me pensione minimale, familjet me të ardhura të ulëta, banorët e zonave të thella rurale, personat me aftësi të kufizuara dhe gratë kryefamiljare përballen me pengesa të shumëfishta kur kërkojnë të marrin shërbime shëndetësore bazë. Për këta qytetarë, një pagesë informale ose një refuzim i heshtur i shërbimit mund të mos jetë thjesht një padrejtësi, por një çështje jete a vdekjeje.
Një e moshuar që frekuenton një qendër ditore sociale në Tiranë rrëfen historinë tronditëse të një shoqeje të saj:
“Shoqja jonë humbi jetën para disa muajsh, sepse nuk kishte para të paguante për të vendosur stentë në zemër. Nuk e mori asnjë mjek përsipër në QSUT. E kuptuan se ajo nuk kishte as mundësi të paguante dhe nuk kishte askënd të kujdesej për të. Ishte vetëm 67 vjeç.”
Kjo dëshmi e dhimbshme nuk është e vetme. Në shumë raste, vendimet për trajtim mjekësor, urgjencë apo vëmendje më të madhe varen më shumë nga aftësia për të paguar “nën dorë” sesa nga gjendja klinike e pacientit. Kur mungon mbështetja financiare apo njohjet personale, pacientët rrezikojnë të injorohen, të shtyhen në radhë ose të mbeten pa trajtim adekuat.
Për më tepër, shumë individë nga grupet më të rrezikuara nuk kanë njohuritë, fuqinë apo mjetet institucionale për të ngritur zërin, për të raportuar ose për të kërkuar drejtësi. Frika nga hakmarrja, mungesa e besimit tek autoritetet dhe paaftësia për të naviguar një sistem burokratik dhe shpesh armiqësor i bën ata të heshtin dhe të pranojnë fatin. Një familjar pacienti në Spitalin Onkologjik e shpreh qartë këtë realitet:
“Sigurisht që paguajmë sa herë vijmë këtu. Nuk flasim. Nuk ankohemi. Ku të ankohemi? Përsëri këtu do të përplasemi për të marrë shërbim.”
Ky fatalizëm dhe pasivitet i detyruar nuk janë produkt i mungesës së vullnetit, por i një kulture të përhapur mosbesimi, ku çdo përpjekje për të kërkuar ndihmë perceptohet si e kotë ose edhe e rrezikshme. Kjo gjendje krijon një cikël të mbyllur padrejtësie dhe përjashtimi, ku korrupsioni riprodhon vetveten dhe sistemi largohet gjithnjë e më shumë nga ata që kanë më shumë nevojë për të.
Në këtë kontekst, korrupsioni nuk mund të shihet vetëm si një çështje morale apo ligjore – ai është një faktor që amplifikon ndarjen sociale, duke ndarë popullsinë në ata që “munden” dhe ata që “nuk munden”. Shëndetësia, që në thelb duhet të jetë një e drejtë universale dhe një instrument barazie, shndërrohet në një mjet që forcon privilegjet dhe thellon pabarazitë. Ata që kanë para, lidhje ose ndikim, marrin kujdes më të mirë dhe më të shpejtë, ndërsa të tjerët mbeten në pritje, në heshtje, shpesh me pasoja fatale.
Ndaj, lufta kundër korrupsionit nuk është thjesht një përpjekje për të vendosur rregull në administratë – është një betejë për dinjitetin dhe jetën e atyre që nuk kanë zë, dhe për të rikthyer qëllimin themelor të sistemit shëndetësor: kujdesin të barabartë për të gjithë qytetarët.
Disclaimer: “Ky artikull është përgatitur nga Together For Life në kuadër të projektit “Qytetarët për transparencë: Luftimi i korrupsionit në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, nën-granti i dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), si pjesë e projektit “Shoqëria civile kundër korrupsionit, nga një sfidë vendase në një përgjigje Evropiane”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.
Përgjegjësia për përmbajtjen i takon vetëm Together For Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH)-së apo partnerëve të projektit.”
