Kujdesi Shëndetësor në Banesë (KSHB) është një shërbim i ri që prej shtatorit të vitit 2024 ofrohet në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit. KSHB përfaqëson një shërbim thelbësor për pacientët të cilët, për shkak të kufizimeve të përkohshme ose të përhershme në lëvizshmëri, nuk kanë mundësi të aksesojnë qendrat shëndetësore. Përfituesit kryesorë të KSHB përfshijnë të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike dhe degjenerative, pacientët me kufizime funksionale apo aftësi të kufizuara, pacientët terminalë që kanë nevojë për kujdes paliativ, si dhe pacientët në periudhë post-operatorë që kërkojnë ndjekje gjatë fazës së rikuperimit. Në praktikë, shërbimi mbulon kategori pacientësh me patologji kronike si hipertensioni arterial, diabeti mellitus, sëmundjet pulmonare kronike, artriti reumatoid, patologjitë neuro-degjenerative, si dhe individë me kufizime të rënda fizike, përfshirë pacientët paraplegjikë, tetraplegjikë apo persona me dëmtime të rënda sensoriale.

Ky shërbim synon të garantojë vazhdimësinë e kujdesit, të reduktojë nevojën për hospitalizime të evitueshme dhe të përmirësojë cilësinë e jetës së pacientëve që kanë nevojë për ndjekje të vazhdueshme mjekësore dhe infermierore në ambientin e banesës.

Si një tipologji relativisht e re e ofrimit të kujdesit në sistemin shëndetësor shqiptar, KSHB ofron një gamë të gjerë shërbimesh në komunitet, përmes ekipeve shëndetësore dhe infermierëve të trajnuar për procedura të avancuara klinike, duke e afruar shërbimin pranë pacientit dhe duke rritur ndjeshëm aksesin në kujdes.

Ofruesit e shërbimit përballen me kufizime të konsiderueshme, përfshirë mungesën e pajisjeve dhe materialeve bazë, kostot e pambuluara të transportit për vizitat në terren, mungesën e incentivave për personelin shëndetësor, si dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit.

Ndërkohë, nevoja për këtë shërbim po rritet vazhdimisht. Të dhënat e CENSUS 2023 tregojnë se rreth 6.5% e popullsisë në Shqipëri vetë-identifikohet si persona me aftësi të kufizuara, ndërsa mbi 4.3% raportojnë vështirësi serioze në lëvizje. Paralelisht, plakja progresive e popullsisë, ku rreth 20% e saj është mbi moshën 65 vjeç, si dhe numri në rritje i të moshuarve që jetojnë vetëm, krijojnë kërkesë gjithnjë e më të madhe për shërbime të kujdesit në komunitet dhe në banesë.

Aktualisht, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, KSHB u ofrohet rreth 5,000 pacientëve në nivel kombëtar. Megjithatë, kjo shifër mbetet dukshëm më e ulët krahasuar me nevojat reale, duke evidentuar hendekun ekzistues ndërmjet kërkesës në rritje për kujdes në banesë dhe kapaciteteve aktuale të sistemit për ta ofruar atë në mënyrë të qëndrueshme dhe universale.

Kujdesi Shëndetësor në Banesë dhe hendeku ndërmjet angazhimit politik dhe financimit real

Megjithëse Kujdesi Shëndetësor në Banesë (KSHB) konsiderohet një komponent thelbësor i kujdesit shëndetësor parësor dhe një instrument kyç për garantimin e aksesit në shërbime për grupet më vulnerabël, zhvillimi dhe qëndrueshmëria e tij vazhdojnë të kufizohen nga mungesa e mbështetjes së dedikuar financiare dhe institucionale. Kjo situatë ngre shqetësime serioze mbi aftësinë e sistemit për të garantuar vazhdimësinë, cilësinë dhe zgjerimin e këtij shërbimi në përputhje me nevojat reale të popullsisë.

Sipas gjetjeve të Raportit të Monitorimit të Buxhetit të Shëndetësisë 2025, Programi i Kujdesit Shëndetësor Parësor vazhdon të përfaqësojë shtyllën kryesore të ofrimit të shërbimeve bazë për qytetarët, përmes rrjetit të qendrave shëndetësore dhe mjekut të familjes. Megjithatë, analiza e planifikimit dhe realizimit buxhetor tregon se investimi në kujdesin parësor mbetet i pamjaftueshëm për të adresuar sfidat në rritje të sistemit, veçanërisht në kontekstin e plakjes së popullsisë, rritjes së barrës së sëmundjeve kronike dhe kërkesës në rritje për shërbime komunitare.

Për vitin 2025, planifikimi fillestar i Programit të Kujdesit Parësor ishte rreth 6.8 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe e fondeve vijoi të orientohej drejt transfertave për skemën e FSDKSH-së, përfshirë financimin e rimbursimit të barnave dhe kontratave ekzistuese të koncesioneve. Në këtë kuadër, për Kujdesin Shëndetësor në Banesë nuk rezulton të jetë parashikuar një linjë specifike financimi, pavarësisht angazhimeve publike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kërkesave të vazhdueshme të aktorëve të shoqërisë civile për institucionalizimin e këtij shërbimi si produkt më vete buxhetor.

Situata bëhet edhe më shqetësuese duke marrë në konsideratë se gjatë vitit 2025 Programi i Kujdesit Parësor pësoi reduktim buxhetor prej rreth 1.89 miliardë lekësh, ndërsa investimet kapitale u ulën me rreth 63%. Investimet me financim të brendshëm pësuan reduktime edhe më të theksuara, duke arritur deri në 78%, çka reflekton mungesë të një qasjeje afatgjatë për forcimin e kapaciteteve të sistemit parësor dhe zhvillimin e shërbimeve komunitare.

Edhe pse dokumentet zyrtare e paraqesin programin si të qëndrueshëm dhe në përputhje me planifikimin afatmesëm, analiza sugjeron se kjo qëndrueshmëri mbetet kryesisht formale. Mungesa e reflektimit të nevojave reale të terrenit dhe mosadresimi financiar i shërbimeve prioritare, si Kujdesi Shëndetësor në Banesë, evidencojnë një hendek të qartë ndërmjet politikave publike dhe realitetit me të cilin përballen pacientët dhe profesionistët shëndetësorë.

Mospërfshirja e KSHB si produkt më vete në programimin buxhetor paraqet shqetësim të veçantë, duke marrë parasysh se shërbimi tashmë është shtrirë në nivel kombëtar dhe përfaqëson një mekanizëm thelbësor për garantimin e aksesit në kujdes për grupet më vulnerabël. Në mungesë të financimit të dedikuar, ekipet shëndetësore vazhdojnë të përballen me kufizime në sigurimin e materialeve bazë, logjistikës, transportit dhe burimeve njerëzore, duke rritur riskun për fragmentim të shërbimit dhe cenim të cilësisë së kujdesit.

Në këtë kontekst, lindin pikëpyetje serioze mbi prioritetet reale të politikave shëndetësore dhe shpërndarjen e burimeve publike. Ndërkohë që financimi për komponentë të tjerë të sistemit dhe kontrata ekzistuese mbetet i garantuar, një shërbim esencial për grupet më vulnerabël vazhdon të funksionojë pa mbështetje të dedikuar financiare. Pa një reflektim të qartë në prioritetet buxhetore dhe pa një angazhim konkret institucional, rrezikohet jo vetëm qëndrueshmëria e Kujdesit Shëndetësor në Banesë, por edhe vetë parimi i aksesit universal dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore.

Kujdesi Shëndetësor në Banesë: nga projekt pilot në prioritet kombëtar

Pavarësisht rritjes së nevojës për shërbime të kujdesit shëndetësor në banesë dhe evidencës së qartë mbi rëndësinë e tyre për grupet vulnerabël, deri më sot Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për krijimin e një mekanizmi të strukturuar dhe të qëndrueshëm financimi për këtë shërbim. Kjo situatë bëhet edhe më paradoksale duke pasur parasysh se vetë dokumentet strategjike të sektorit parashikojnë forcimin progresiv të kujdesit parësor dhe rritjen graduale të financimit për Kujdesin Shëndetësor në Banesë deri në 2% të buxhetit total të shëndetësisë – një objektiv që, deri më sot, mbetet i parealizuar.

Analizat financiare tregojnë se investimi në Kujdesin Shëndetësor në Banesë nuk është vetëm i realizueshëm, por edhe ekonomikisht racional. Sipas skenarëve të financimit të zhvilluar nga Together for Life, kostoja e implementimit në shkallë të gjerë gjatë vitit të parë varion nga rreth 297.5 milionë lekë deri në 970.8 milionë lekë, në varësi të modelit të financimit të zgjedhur. Në të njëjtën kohë, investimi në këtë shërbim pritet të gjenerojë kursime të konsiderueshme për sistemin shëndetësor, përmes reduktimit të hospitalizimeve të evitueshme dhe uljes së kostove, me potencial kursimi deri në 1.6 miliardë lekë në vit.

Në këtë kontekst, financimi i Kujdesit Shëndetësor në Banesë nuk duhet të konsiderohet vetëm si një detyrim social ndaj pacientëve më vulnerabël, por si një investim strategjik për forcimin e eficiencës, qëndrueshmërisë dhe orientimit të sistemit shëndetësor drejt nevojave reale të popullsisë. Për këtë arsye, Together for Life ka adresuar vazhdimisht këtë çështje pranë institucioneve përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke kërkuar institucionalizimin e financimit të këtij shërbimi.

Garantimi i qëndrueshmërisë afatgjatë të Kujdesit Shëndetësor në Banesë kërkon ndërhyrje konkrete politike dhe financiare. Kjo nënkupton krijimin e një linje të dedikuar buxhetore për shërbimin, mbulimin e kostove operative, forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe sigurimin e burimeve të nevojshme logjistike për ofrimin cilësor të kujdesit. Paralelisht, Parlamenti dhe institucionet mbikëqyrëse duhet të ushtrojnë një rol më aktiv në monitorimin e alokimit dhe përdorimit të burimeve publike për këtë shërbim.

Kujdesi Shëndetësor në Banesë nuk mund të mbetet një model i mbështetur kryesisht nga donatorët apo një iniciativë e përkohshme e sistemit. Në kushtet e plakjes së popullsisë, rritjes së barrës së sëmundjeve kronike dhe nevojës në rritje për shërbime komunitare, institucionalizimi dhe financimi i qëndrueshëm i këtij shërbimi nuk përbën më një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri për garantimin e një sistemi shëndetësor më të drejtë, më efikas dhe më pranë qytetarëve.