“Në fshatin tim pothuajse të gjithë të moshuarit jetojnë vetëm. Më marrin shpesh në telefon. U paguaj energjinë elektrike, ujin dhe, kur kanë nevojë për ilaçe, shkoj vetë t’ua çoj. Jetojmë në të njëjtën lagje dhe kemi nevojë për njëri-tjetrin. Ndihmohemi sa herë që mundemi. Ajo që më dhemb më shumë është se të moshuarit po mbeten vetëm, po braktisen. Shpesh nuk kanë askënd pranë, as për gjërat më të thjeshta të përditshmërisë.”
Kështu rrëfen Albana, banore e një fshati të vogël në Fier. Historia e saj pasqyron një realitet që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në Shqipëri: mijëra të moshuar jetojnë të vetëm, larg familjarëve të tyre dhe me nevoja të vazhdueshme për kujdes shëndetësor dhe mbështetje sociale.
Ky fenomen lidhet ngushtë me ndryshimet e thella demografike që po përjeton vendi. Emigracioni, rënia e lindshmërisë dhe rritja e jetëgjatësisë kanë çuar në plakjen progresive të popullsisë dhe në shtimin e numrit të personave që kanë nevojë për kujdes afatgjatë. Në këtë kontekst, shërbimet shëndetësore të ofruara në komunitet po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Një prej tyre është Kujdesi Shëndetësor në Banesë (KSHB), i cili synon të garantojë ofrimin e kujdesit shëndetësor në shtëpi për pacientët që, për shkak të gjendjes shëndetësore apo kufizimeve fizike, nuk kanë mundësi të paraqiten në qendrat shëndetësore. Shërbimi ofrohet nga ekipe të trajnuara infermierore dhe personel shëndetësor, duke mbuluar nevojat e pacientëve me sëmundje kronike, personave me aftësi të kufizuara, pacientëve në kujdes paliativ dhe individëve të tjerë me kufizime të konsiderueshme në lëvizje.
Nevoja për këtë shërbim mbështetet edhe nga të dhënat zyrtare. Sipas CENSUS 2023, rreth 20% e popullsisë së Shqipërisë është mbi moshën 65 vjeç. Po ashtu, 6.5% e popullsisë vetë-identifikohet si persona me aftësi të kufizuara, ndërsa mbi 4.3% raportojnë vështirësi serioze në lëvizje. Këto tregues dëshmojnë për një kërkesë në rritje për shërbime të kujdesit afatgjatë dhe kujdesit në banesë.
Pas këtyre statistikave fshihen histori konkrete familjesh që përballen çdo ditë me sfida të mëdha shëndetësore dhe ekonomike.
“Kam gruan 72 vjeç që vuan nga disa sëmundje. Ka tension të lartë, astmë dhe prej 17 vitesh vuan nga diabeti. Katër vite më parë u diagnostikua me tumor. Për shkak të diabetit, mjekët nuk e kanë marrë përsipër ndërhyrjen kirurgjikale. Prej gati 10 vitesh nuk del nga shtëpia. Përkujdesemi për të unë dhe nusja”, tregon Loni një i moshuar nga Mbrostari i Fierit.
Ndërkohë, Fatmira, një ekonomiste 30-vjeçare nga Klosi, përshkruan vështirësitë me të cilat përballet vjehrra e saj:
“Vjehrra ka dy muaj që nuk lëviz pas një traume të shkaktuar nga një rrëzim. Vetëm për medikamente shpenzon rreth 100 mijë lekë në muaj, pasi ato nuk janë pjesë e listës së barnave të rimbursueshme. Ajo jeton vetëm dhe e vetmja e ardhur që ka është pensioni prej 180 mijë lekësh të vjetra.”
Sfidat e pacientëve nuk kufizohen vetëm te problemet shëndetësore, por lidhen ngushtë edhe me kushtet sociale dhe ekonomike të familjeve që kujdesen për ta. Një situatë e ngjashme evidentohet edhe në Dibër, ku bashkëshortja e një pacienti të moshuar rrëfen barrën financiare të trajtimit të vazhdueshëm:
“Bashkëshorti kurohet për sëmundje të veshkave dhe kemi shumë shpenzime. Analizat për veshkat dhe diabetin i kryej në laborator privat çdo gjashtë muaj. Mendoj se janë më të sakta dhe nuk mund të pres gjatë në radhë. Financiarisht është shumë e vështirë, por nuk kam zgjidhje tjetër. Shpesh shtyj pagesat e dritave dhe ujit, duke kërkuar mirëkuptim deri sa të kem mundësi t’i paguaj. Me pensionin përpiqemi të përballojmë gjithçka, por është tepër e vështirë.”
Për shumë familje shqiptare, pensioni mbetet burimi i vetëm i të ardhurave, ndërsa kostot e barnave, analizave, transportit dhe kujdesit shëndetësor shpesh tejkalojnë mundësitë e tyre financiare.
Pikërisht në këtë kontekst, Kujdesi Shëndetësor në Banesë përfaqëson një investim të rëndësishëm për pacientët, familjet dhe vetë sistemin shëndetësor. Përmes këtij shërbimi sigurohet ndjekja e vazhdueshme e pacientëve në shtëpi, reduktohen komplikacionet dhe hospitalizimet e evitueshme, lehtësohen kostot për familjet dhe ulet presioni mbi spitalet dhe shërbimet e urgjencës.
Together for Life: Problemi nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e prioritizimit
Modeli i Kujdesit Shëndetësor në Banesë (KSHB) u pilotua fillimisht në vitin 2021 nga projekti Shëndet për të Gjithë (HAP), me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në qarqet Dibër dhe Fier. Rezultatet pozitive të pilotimit dëshmuan efektivitetin e këtij modeli në përmirësimin e aksesit të pacientëve vulnerabël në shërbimet shëndetësore, duke mundësuar zgjerimin gradual të tij në rreth 150 qendra shëndetësore në vend. Mbi bazën e kësaj eksperience, në shtator 2024, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vendosi ta shtrijë shërbimin në nivel kombëtar.
Megjithatë, pothuajse dy vjet pas shtrirjes së tij në të gjithë vendin, mbetet një pyetje thelbësore: a po mbështetet ky shërbim me burimet financiare të nevojshme për të garantuar cilësinë, mbulimin dhe qëndrueshmërinë e tij afatgjatë?
Në një deklaratë publike, Shoqata Together for Life (TFL), organizata më e madhe në vend në fushën e shëndetësisë dhe të drejtave të pacientëve, i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale që të sigurojë financim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për Kujdesin Shëndetësor në Banesë.
Sipas TFL-së, mijëra pacientë me sëmundje kronike, persona të moshuar dhe individë me kufizime në lëvizje varen nga ky shërbim për të marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Megjithatë, mungesa e një financimi të dedikuar dhe të qëndrueshëm rrezikon cilësinë e shërbimit, zgjerimin e tij dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
Organizata argumenton se sfida nuk lidhet me mungesën e kapaciteteve financiare të shtetit, por me mungesën e prioritizimit të kujdesit shëndetësor parësor dhe të shërbimeve komunitare në politikat dhe planifikimin buxhetor.
Sipas analizës së kryer nga TFL, kostoja e nevojshme për garantimin e plotë të Kujdesit Shëndetësor në Banesë në nivel kombëtar gjatë vitit të parë llogaritet në rreth 970.8 milionë lekë. Në vitet pasuese, nevojat financiare reduktohen ndjeshëm, pasi investimet fillestare në pajisje dhe infrastrukturë nuk përsëriten në të njëjtën masë.
Bazuar në monitorimin e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë katër viteve të fundit, TFL vlerëson se kjo është një kosto plotësisht e përballueshme për sistemin publik shëndetësor. Megjithatë, realizimi i saj kërkon një rishikim të prioriteteve aktuale buxhetore dhe një orientim më të madh të investimeve drejt kujdesit parësor dhe shërbimeve të bazuara në komunitet.
“Mungesa e financimit të dedikuar ka pasoja të drejtpërdrejta në ofrimin e shërbimit. Infermierët dhe qendrat shëndetësore përballen me vështirësi në mbulimin e kostove të transportit, pajisjeve dhe materialeve të nevojshme për kujdesin në banesë. Në mungesë të mbështetjes financiare, një pjesë e konsiderueshme e barrës ekonomike transferohet tek pacientët dhe familjet e tyre”, thekson Shoqata Together for Life.
Një vendim që nuk mund të presë
Në një vend ku popullsia po plaket me ritme të shpejta, ku sëmundjet kronike dhe degjenerative janë në rritje dhe ku mijëra të moshuar jetojnë vetëm ose varen nga kujdesi i familjarëve, Kujdesi Shëndetësor në Banesë nuk mund të konsiderohet më një shërbim plotësues. Ai përfaqëson një komponent thelbësor të sistemit shëndetësor modern, i cili garanton akses më të barabartë në kujdes, përmirëson cilësinë e jetës së pacientëve dhe redukton barrën fizike, emocionale dhe financiare të familjeve.
Përtej përfitimeve individuale, investimi në Kujdesin Shëndetësor në Banesë sjell përfitime të drejtpërdrejta edhe për vetë sistemin shëndetësor. Ofrimi i kujdesit pranë pacientit ndihmon në parandalimin e komplikacioneve, redukton nevojën për shtrime të panevojshme në spital, ul kostot e trajtimit në nivelet dytësore dhe terciare të kujdesit dhe lehtëson ngarkesën mbi shërbimet e urgjencës dhe strukturat spitalore.
Përfaqësuesit e Shoqatës Together for Life kërkojnë që financimi i Kujdesit Shëndetësor në Banesë të përfshihet në buxhetin afatmesëm 2027–2029, bazuar në kostot reale të ofrimit të shërbimit, si dhe që ky model kujdesi të trajtohet si prioritet kombëtar në politikat për plakjen aktive, menaxhimin e sëmundjeve kronike, aftësinë e kufizuar dhe kujdesin afatgjatë.
Sipas organizatës, garantimi i financimit të qëndrueshëm nuk është thjesht një çështje buxhetore, por një investim strategjik në shëndetin publik dhe në dinjitetin e qytetarëve më vulnerabël. Në kushtet kur nevoja për kujdes në komunitet pritet të rritet në vitet e ardhshme, shtyrja e këtij vendimi do të thellonte hendekun midis nevojave reale të pacientëve dhe kapaciteteve të sistemit për t’iu përgjigjur atyre.
