
Ryshfeti mbetet një nga shqetësimet kryesore në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, ku qytetarët jo rrallë herë janë të detyruar të paguajnë nga xhepi për ta marrë shërbimet.
Kjo është konstatuar edhe në progres raportin e Komisionit Europian, i cili thekson se Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave nga xhepi në Evropë, ku qytetarët mbulojnë 59.7% të kostove totale shëndetësore.
Situata me korrupsion, konkretisht ryshfetin, vazhdon të jetë një problem edhe për pacientët e qendrave shëndetësore në Tiranë. Kjo problematikë ka dalë në pah nga një studim i kryer në vitin 2025, nga shoqata “Together for Life”.
Aktualisht, vendi ka rreth 362 qendra shëndetësore, nga të cilat mbi 41 ndodhen në Bashkinë e Tiranës, ku shërbimet ligjërisht ofrohen falas nga shteti. Por, sipas studimit mbi prevalencën e përhapjen e pagesave informale në qendrat shëndetësore në Tiranë sugjerohet se tashmë kjo praktikë ishte mjaft e pranishme.
Nga pyetësorët e plotësuar nga 400 qytetarë në 10 qendra shëndetësore, 44% e të anketuarve raportuan se ata vetë ose dikush që njihnin kishte paguar ryshfet për të marrë shërbim.
“I afrova mjekes së familjes 200 lekë të reja, por ajo m’i ktheu dhe më tha se donte 2,000 lekë të reja”, tregon një qytetar.
Ky shembull, edhe pse jo gjithmonë i zakonshëm, pasqyron jo vetëm natyrën e paformalizuar të pagesave, por edhe presionin psikologjik që pacientët përjetojnë. Praktikat e tilla kërcënojnë integritetin e marrëdhënies mjek–pacient dhe pengojnë funksionimin e drejtë të sistemit shëndetësor publik.
Lorena Muhametaj, përfaqësuese e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), thekson se janë të angazhuar me institucionet e tjera për të ndërtuar një sistem të besueshëm raportimi dhe për të ruajtur integritetin e sistemit.
“OSHKSH e konsideron të papranueshme çdo formë të pagesës nën dorë apo të fshehur nga stafi shëndetësor. Çdo raportim apo indicie do t’i drejtohet menjëherë organeve kompetente, përfshirë Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit. Ne jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me Ministrinë e Shëndetësisë, shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura për të ndërtuar një sistem të besueshëm raportimi dhe për të ruajtur integritetin e sistemit.”
Ndikimi dhe pasojat e pagesave informale
Pagesat informale ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e kujdesit dhe në barazinë shëndetësore. Kur qytetarët duhet të paguajnë për shërbime që ligji garanton falas, krijohet një ndarje midis atyre që mund të paguajnë dhe atyre që nuk kanë mundësi. Kjo situatë prek veçanërisht grupet vulnerabël, si:
- të moshuarit;
- pacientët me sëmundje kronike;
- gra kujdestare dhe familje me të ardhura të ulëta;
- qytetarë me arsim të kufizuar.
Në një nivel më të gjerë, përhapja e korrupsionit në sistemin shëndetësor cenon barazinë në akses, ul besimin e publikut në institucionet shëndetësore, rrezikon shëndetin e pacientëve më të pambrojtur dhe minon etikën profesionale të personelit mjekësor.
OBSH, në vitin 2020, promovoi qasjen ACTA (Anti-Corruption, Transparency and Accountability), duke nxitur vendet të integrojnë përpjekjet kundër korrupsionit në politikat dhe strategjitë kombëtare shëndetësore.
Pasojat e ryshfetit në nivele të ndryshme
Në nivel individual: pagesat informale ndikojnë në vendimmarrjen e qytetarëve për të kërkuar ndihmë mjekësore në kohën e duhur. Individët që nuk kanë mundësi të paguajnë shpesh hezitojnë ose vonojnë kontaktin me sistemin shëndetësor, duke rritur rrezikun për përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe ndërlikime të mundshme.
Në nivel shoqëror: ryshfeti minon besimin e qytetarëve tek sistemi shëndetësor publik dhe i nxit ata të kërkojnë alternativa private, duke rritur pabarazinë dhe duke përjashtuar kategori të tëra që nuk përballojnë kostot.
Në nivel sistemik: praktika krijon një mjedis mosndëshkimi dhe mungesë transparence, duke e bërë të pamundur vendosjen e standardeve profesionale dhe etike. Statistikisht, vetëm 1% e qytetarëve kanë raportuar këto raste, duke dëshmuar kapacitete të kufizuara dhe mungesë vullneti institucional.
Një shqetësim i veçantë lidhet me fëmijët dhe nënat, të cilët përdorin shërbime parësore si vaksinimet, kontrolli i shtatzënisë apo kujdesi pas lindjes. Sondazhet tregojnë se edhe këto shërbime, që duhet të jenë të mbrojtura dhe me prioritet absolut, nuk janë të imunizuara ndaj pagesave informale, duke ekspozuar edhe më shumë grupet vulnerabël ndaj rreziqeve shëndetësore.
Pagesat informale nuk janë thjesht një problem i zakonshëm i korrupsionit; ato janë një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj barazisë shëndetësore, sigurisë publike dhe dinjitetit njerëzor. Ky fenomen ndikon jo vetëm në aksesin ndaj shërbimeve, por edhe në cilësinë dhe kohën e marrjes së kujdesit, duke thelluar pabarazitë ekzistuese dhe duke rënduar shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve më të pambrojtur.
Vetëm përmes transparencës, raportimit të besueshëm dhe bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit mund të ndërtohet një sistem shëndetësor publik që funksionon mbi bazën e besimit, integritetit dhe barazisë.
*Ky postim zhvillohet në kuadër të projektit “Jashtë vëmendjes: Pagesat informale në marrjen e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Together for Life. Projekti është pjesë e Programit të Granteve të Vogla SELDI, në kuadër të projektit “Shoqëria Civile për Qeverisje të Mirë dhe Kundër Korrupsionit në Evropën Juglindore: Ndërtimi i Kapaciteteve për Avokim të Bazuar në Evidencë, Ndikim në Politika dhe Angazhim të Qytetarëve (SELDI.net)”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo të SELDI.net.
