denonco@transparency.com.al

Blog

Kush do të kujdeset për të moshuarit? Geriatria, specialiteti mjekësor që në Shqipëri mungon

“Politikbërësit tanë nuk kanë menduar asnjëherë se do plaken dhe do plakemi”

Ekspertët e shëndetit në vendit tonë po e vënë theksin çdo ditë e më shumë tek një specialitet mjekësor që në Shqipëri mungon dhe po bëhet i domosdoshëm.

Bëhet fjalë për Geriatrinë, specialiteti mjekësor i dedikuar ekskluzivisht për ofrimin e kujdesit me cilësi të lartë me në qendër pacientin e moshuar. Në vendin tonë , edhe pse numri i të moshuarve po vjen gjithnjë në rritje, trupa mjekësore nuk është e arsimuar për shërbime ndaj moshës së tretë, “geriatri”, një degë e infermierisë dedikuar kësaj moshe.

Bazuar në të dhënat e CENSIT 2023, Shqipëria ka 35% më shumë të moshuar se në vitin 2011 dhe mbi 667 mijë shqiptarë janë mbi 60 vjeç. Raporti i varësisë së të rinjve ka rënë, ndërsa ai i të moshuarve është rritur.

Sipas CENSIT 2023, një në pesë individë (19,7 për qind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3 për qind) në CENSIN e vitit 2011, apo me Censusin 2001 që ishte 7,5 për qind. Vlerësohet se 46.0 për qind e popullsisë së moshës 65 vjeç e lart, rreth 200 mijë persona, jetojnë në zonat rurale. Madje, për shkak të migrimit të anëtarëve më të rinj të familjes, në shumë fshatra mbizotërojnë të moshuarit të cilët jetojnë vetëm.

Të moshuarit që jetojnë vetëm po shtohen çdo ditë.  Të dhënat e fundit të censusit tregojnë se 10,8% e personave të moshës së tretë jetojnë vetëm.

Sipas ekspertëve 19% e tyre kanë paaftësi të ndryshme. Me rritjen e moshës, edhe shkalla e paaftësisë rritet, nëse për grupmoshën 65-69 vjec shkalla e paaftësisë për burrat është 9% dhe 12% për gratë pas moshës 85 vjeç, shohim që shkalla  e paaftësie prek 40% e burrave dhe 47% të grave.

Rezulton se më shumë se 64 mijë persona jetojnë te vetmuar për shkak të emigracionit të fëmijëve ose braktisjes prej tyre.

11% nuk kanë askënd që të kujdeset për ta , ndërsa 16% nuk kanë askënd që mund ti besojnë dhe flasin me të.

“Në fshatin tim të gjithë të moshuarit janë vetëm. Ma kanë numrin. U paguaj dritat, ujin dhe, nëse kanë nevojë për ilaçe, vete ua çoj. Ne jetojmë bashkë në një lagje, kemi nevojë për njëri-tjetrin, e ndihmojmë njëri-tjetrin, kur ka nevojë. E keqja është që mosha e tretë po mbetet vetëm, po braktisen. S’kanë njeri t’u sjellë as një gotë ujë” , citohet një banore në një zonë rurale në raportin “Shërbimet Shëndetësore në Banesë” , publikuar nga shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim nëpërmjet projektit “Shëndet për të gjithë” (HAP).

Me rritjen e jetëgjatësisë numri i të moshuarve do të vijojë të rritet, e paralel dhe nevojat e tyre për kujdes socio-shëndetësor. Projeksionet e hartuara nga ekspertë na tregojnë se numri i të moshuarve nga  90.900 në 2020,  pritet të shkojë në 130.400 në 2030 dhe 161.100 në 2050.

“Nuk kemi geriartri. Nuk e di arsyen, ndoshta politikbërësit tanë nuk kanë menduar asnjëherë se do plaken dhe do plakemi dhe nuk kanë menduar asnjëherë se kjo moshë ka nevojë për shërbim të kualifikuar posaçërisht për këtë gjë”, shprehet Nevruz Caushaj , kardiolog, në ciklin televiziv “SHPOPULLIMI”.

Mjeku i familjes që mbulon këtë grupmoshë  ofron shërbim shërbim të kufizuar,  madje në disa fshatra ka mungesë totale të tyre, ose janë të pranishëm jo më shumë se tre-katër ditë në javë. Sipas ekspertëve në të gjithë Shqipërinë rezultojnë më pak se 1000 mjekë familje.

Pas moshës 60-vjeçare kosto mjekësore e jetesës rritet shumë dhe sidomos për 70-80 vjeçarët, të cilët kanë nevojë për shërbim intensiv. Kjo rrit nevojat për mjekë dhe infermirë, sidomos në Geriartri.

  • Problemet shëndetësore

Bashkë me situatën e krijuar natyrshëm nga procesi biologjik i plakjes, të moshuarit përballen me një sërë problemesh dhe sfidash ende të paadresuara nga institucionet.

Në Shqipëri, sipas INSTAT, rreth 40% e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike dhe jetojnë në varfëri, duke përkeqësuar sfidat e tyre shëndetësore. Nevojat për kujdes të vazhdueshëm për të moshuarit po rriten me shpejtësi në Shqipëri, por, nga ana tjetër, duket se shqetësimi nuk ka shkuar ende në veshët e qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat kanë bërë pak për adresimin e këtyre nevojave.

Kompleksiteti i sëmundjeve kronike nga të cilat vuajnë të moshuarit, si diabeti, tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës, probleme respiratore, etj., kërkon asistencë të vazhdueshme shëndetësore. Nga të dhënat e studimit të HAP, kryer në vitin 2023 në Dibër dhe Fier me përfitues të kujdesit shëndetësor në banesë ose familjarë/ kujdestarë të tyre, rezulton se 450 pacientë raportuan gjithsej 937 probleme shëndetësore, kryesisht kronike, ku shumica e pacientëve (69.6%) raportuan se vuanin nga më shumë se një sëmundje.

Shoqata e Gerontologjisë së Shqipërisë raporton se 60 për qind e njerëzve të moshës 65 vjeç e lart kanë një ose më shumë sëmundje kronike dhe nga 30 deri në 40 për qind e medikamenteve përdoren nga kjo grupmoshë.

sqAlbanian