denonco@transparency.com.al

Blog

Lahe: Buxheti i ulët në shëndetësi reflektohet në shërbime të mungura, ose shërbime jo-cilësore

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndet ishte në fokus të emisionit “EkoSkaner”. Investigimi  nxjerr në pah se nevoja për kujdes shëndetësor do të rritet, për shkak të rritjes së temperaturave apo fatkeqësive natyrore, por qeveria po lëviz ngadalë në drejtim të marrjes së masave për zbutjen e efekteve negative, në shkelje të angazhimeve të ndërmarra në strategjitë e miratuara.

Ekspertët rendisin një sërë patologjish që do të jenë në rritje, ndërsa shtojnë se pasojat më të shumta do i vujanë shtresat e varfra të popullsisë. Në këto kushte ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme dhe marrjen e masave, për të përballuar pasojat që ndryshimet klimatike do të sjellin mbi shëndetin e popullatës, duke theksuar nevojën për rritjen e numrit të mjekëve, pajisjeve mjekësore dhe aksesit në sistemin shëndetësor.

Të ftuara në studio, Alma Lahe nga  shoqata “Together for Life” dhe Enkelejda Kucaj nga Instituti i Gjeoshkencave në UPT folën më gjerësisht për temën, duke theksuar nevojën për rritjen e buxhetit për sektorin shëndetësor, si dhe ndërhyrjen edhe në sektorë të tjerë që preken nga ndryshimet klimatike.

 “Është koha jo vetëm për të folur, por edhe për të vepruar. Ne para pak ditësh prezantuam raportin e fundit të themi, i cili ishte raporti parë i Monitorimit Të Strategjisë Kombëtare Të Shendetësisë 2021-2030. Kjo strategji ka sigurisht të përfshirë të gjitha politikat shëndetësore për këtë 10-vjeçar parashikuar me buxhetet përkatëse. Është shumë optimist si dokumet, është i mirëhartuar. Ajo që ka qenë gjithmonë problem në fakt në dokumentet politikë, jo vetëm në këtë fushë, por edhe në fusha të tjera ka qenë mungesa e buxhetit. Pra, buxheti ka qenë gjithmonë jo i duhuri. Ne na rezultoi nga analiza që u bë në këto tre vite e gjysmë, (nga janari i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2024) na rezultoi se buxheti i ministrisë për sektorin e shëndetësisë në këto vite ka qenë 18% më i ulët nga parashikimet, që kemi në strategji, më i ulët nga vetë dokumenti që ka parashikuar. Ne bëjmë çdo vit edhe monitorimin e buxhetit faktik të Ministrisë së Shëndetësisë dhe na rezulton që nga viti në vit ka ulje të buxhetit,  pa ju referuar vitit 2021 që ka qenë viti i COVID , pra ka qenë një vit që nuk merret në referencë, në vitet e tjera ka qenë më ulje. Në vitin 2023 buxheti faktik ka qenë 2.8 %. Jemi vendi i fundit në rajon përsa i përket buxhetit , shpenzimeve të qeverisë për shëndetësinë”, shprehet Lahe.

Ajo shton më tej  se,  “Një buxhet jo i përshtatshëm, jo i duhur do të thotë që impakton të gjitha shërbimet, pra edhe shërbimet bazë. Vetë ministria ka parashikuar politika të veçanta për të cilat ne ose nuk kemi gjetur informacion se çfarë bëhet me ecurinë e tyre, ose puna duket që nuk ka pasur atë ecuri që është e duhura. Ne na rezulton që në vitet e fundit buxheti i ministrisë, jo vetëm që është i ulët në parashikim, por ulet edhe në mes të vitit buxhetor. Sa herë rishikohet buxheti, po t’i referohesh buxhetit për shëndetësinë kemi pasur ulje, po t’i referohemi buxhetit për shërbimin parësor kemi pasur ulje.

 Kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi problematikë shëndetësore, me ndryshimet demografike që janë shumë të shpejta, popullsia në moshë të madhe po rritet me shpejtësi,  do të thotë që nevoja për shërbime është shumë e madhe, sëmundshmëria ka ndryshuar dhe përveç sëmundjeve të reja që shfaqen, edhe sëmundjet jo të transmetueshme janë problem i madh që i ndikon si mjedisi, mënyra e jetesës, edhe faktorët e klimës që po ndryshojnë. Dhe në të gjitha këto reflektohet mungesa e buxhetit në shërbime të munguara, ose në shërbimin jo të duhur që ju vete pacientëve.”

Duke ju referuar raportit të fundit të publikuar nga shoqta “Together for Life , Lahe thotë se janë ndërlidhur të dhëna sasiore dhe cilësore për të parë ndikimin që kanë tek vetë përfituesit e shërbimeve nga programet shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ne në fakt në raportin e fundit kemi bërë përpjekje për të marrë edhe reagimin e përfitimit të shërbimeve. Ne bëjmë një analizë të buxhetit, bëjmë një analizë të programeve politike, të programeve shëndetësore të ministrisë, por duam të shohim edhe çfarë impakti kanë edhe zbatimi i politikave ose buxhet që shkojnë për shërbime të caktuara dhe na ka rezultuar se impakti nuk është i plotë tek përfituesi i shërbimit.

Grupet vulnerabël janë më të rrezikuara. Dhe duke thënë se buxheti është i ulët kjo do të përkthehet drejtëpërdrejtë në rritje të shpenzimeve nga xhepi për qytetarët. Por një qytetar, pacient që vjen nga zonat rurale që e ka më larg shërbimin, që ka të ardhura më të ulëta, që nuk e përballon dot financiarisht i bie që 2/5 ta paguajë shteti nga shpenzimet e shëndetësisë dhe 3/5 e ke ti. Dhe kjo është nga të dhënat e OBSH-së. Kemi nivelin më të lartë të pagesës nga xhepi. Pacienti kur nuk ka mundësi ta paguajë shërbimin, ose do ta shtyjë marrjen e shërbimit  që do të thotë situata e tij shëndetësore do të agravojë edhe vetë sistemi në fakt duke e vënë para një presioni, sepse do të rriten shpenzimet kur të jetë edhe më e agravuar situata, ose do të heqë dorë nga marrja e shërbimeve.”

Përsa i përket largimit nga vendi të mjekëve specialist Lahe sjell në vëmendje në rast konkret, që dëshmon se vendit jo vetëm po i ikin profesionistë, por edhe ato që kanë vendosur të qëndrojnë dhe të ushtrojnë ndeshen me mungesë të infrastrukturës bazë për të ofruar shërbim

“Situata është mikse, buxheti është i ulët dhe që këtu fillon problematika. Mënyra se si ky buxhet shpenzohet, sa i jepet mundësi shëbimeve, dhe nga fokusgrupet me ofrues dhe marrës të shërbimeve  kemi pasur një mjeke nga një zonë afër Tiranës dhe thotë : ‘Dëgjo unë e kam spitalin shumë të mirë. Mua më vjen pacienti, por unë nuk kam asnjë paisje çfarë t’i ofroj shërbim, kështu që si mund ta pëlqejë ai shërbimin tim, si mund të pranojë ai të vijë të marrë shërbim tek unë?!’ Pra jo vetëm na mungojnë specialistë , por edhe atje ku ka specialistë nuk arrijmë dot të ofrojmë shërbimin dhe ky është problem. Unë mendoj se Ministria duhet të jetë pak më mendjehapur, jo vetëm politika në letër dhe të bëjmë disa kalkulime. Edhe ne kemi shkuar në kalkulime, kemi bërë analizën e të dhënave që kemi marrë. Debati mes shoqërisë civile dhe institucioneve publike është edhe i shifrave. Do të thotë që nuk pranohen shifrat që ofrohen nga shoqëria civile. Në fakt ne kemi bërë shumë kujdes në raportin e fundit që për të gjitha t’i referohemi të dhënave publike zyrtare të publikuara në site-t e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë. I kemi artikuluar si politika dhe tani duhet të merren masa si do të zbatohen dhe kjo është shumë e rëndësishme.”

Sipas saj është “Koha është tani për të reaguar,

-E para rritja e buxhetit për shëndetësinë

-Përdorimi me efektivitet i fondeve publike

-Paralelisht me fuqizimin e institucioneve  dhe të vetë ofruesve të shërbimeve duhet edhe ndërgjegjësimi i popullatës .”

sqAlbanian