Çfarë zbuloi raporti i KLSH për Shërbimin Onkologjik të QSUT

Një raport i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka nxjerrë në pah të dhëna tronditëse lidhur me barnat për trajtimin e sëmundjeve tumorale, duke theksuar hendekun midis pacientëve dhe sistemit të drejtë shëndetësor.

Në raportin “Mbi disponibilitetin e barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale” është evidentuar se nga institucionet e audituara, përfshirë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, nuk janë ezauruar në mënyrë të plotë veprimet e ndërmarra në kuadër të sigurimit të disponibilitetit të barnave të përdorur në trajtimin e sëmundjeve tumorale.

Medikamente të skaduara në farmacinë e QSUT

Në raportin e KLSH, evidentohet se “19 flakonë Ifosfamide 1 g dhe 602 flakonë Methotrexate në dy formëdoza: Solution for injection and infusion x 500 mg (në 10ml ose 20ml) me 372 flakonë dhe Solution for injection x 50 mg / 2 ml me 230 flakonë, pavarësisht se kanë skaduar rezultojnë ende në sistemin Pentaho.”

Këto medikamente paraqesin risk për mbajtjen e stoqeve të skaduara në sistem dhe duke rritur artificialisht gjendjen e barnave në sistem, pavarësisht përcaktimeve të neni 4 të kontratave të furnizimit, i cili përcakton qartë se “Në rast mospërdorimi për arsye objektive të medikamenteve, duke sjellë si pasojë afrimin e skadencës, shoqëria furnitore duhet të marrë masa për tërheqjen e medikamenteve dhe zëvendësimin e tyre me të njëjtin artikull, por me afat më të gjatë skadence”.

Në lidhje me medikamentet e skaduara, Drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik, znj. M.R, ka pretenduar se“Gjendja e barnave të skaduara është e dallueshme dhe nuk përdoret nga operatorët e sistemit (farmacistë/kryeinfermierë) gjatë procesit të kërkesës dhe shkarkimit. Kur farmacistët realizojnë shkarkimin e barnave për plotësimin e kërkesave të shërbimeve klinike, ata veprojnë vetëm mbi barnat brenda afateve të skadencës, pasi fushat e kërkimit për barnat skaduara, janë inaktive dhe të bllokuara nga sistemi, dhe nuk mund të veprohet me këto barna. Sqarojmë se me afrimin e skadencës për një bar, sistemi detekton afrimin e skadencës edhe në anën vizuale duke ngjyrosur fushën me ngjyrë portokalli, dhe me plotësimin e datës së skadencës, ngjyrosja kthehet në ngjyrë të kuqe, dhe bllokohet automatikisht çdo lloj veprimi me barin e skaduar. Kjo siguron që barna të skaduara të mos përfshihen në procesin e shpërndarjes dhe përdorimit klinik çka sqaron edhe njëherë faktin se pavarësisht se bari në fjalë i pasqyruar në pikën 8 rezulton i skaduar në PENATAHO, ai nuk ndikon në rritjen artificiale të barnave”.

Gjendjet e barnave të skaduara që shfaqen në sistem nuk mund të konsiderohen vetëm si një informacion statistikor, por tregojnë boshllëqe në menaxhimin e inventarit, fakt që e indentifikon me shqetësim edhe raporti i KLSH. Edhe nëse barnat e skaduara nuk mund të përdoren nga operatorët në procesin e shkarkimit, prania e tyre në stok sjell pasoja negative, duke rritur artificialisht gjendjen dhe duke ngadalësuar qarkullimin efikas të barnave. Kjo situatë mund të shkaktojë mungesa të barnave të nevojshme për trajtim, duke ndikuar drejtpërdrejtë në shërbimin ndaj pacientëve. Për më tepër, në gjendjet e skaduara të evidentuara nga grupi i auditimit paraqitet risku i mosnxjerjes jashtë përdorimit të këtyre sasive dhe mbajtjes së tyre në inventarin fizik të barnave. Është përgjegjësia e institucionit të monitorojë datat e skadencës përpara afatit të mbarimit të kontratës, siç dhe parashikohet në nenin 5 të kontratës. Mungesa e monitorimit të zbatimit të kontratës nga ana e MSHMS ka sjell për pasojë mos tërheqjen e barnave të skaduara përpara përfundimit të afatit të kontratës.

Fëmijëve u mohohet trajtimi

Nga verifikimet e kryera nga KLSH për periudhën 2020-2024, fëmijët me sëmundje tumorale nuk kanë marrë trajtim të barabartë.  Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur 12 pacientë të moshës 2 deri në 18 vjeç që kërkon sipas protokolleve trajtim me Actinomycin D, dhe KLSH ka konstatuar se në 6 raste nuk është ofruar trajtim në sisteminpublik, 1 është trajtuar jashtë vendit, sipas protokollit VAC, dhe 5 të tjerë janë trajtuar duke siguruar medikamentin privatisht.

Pas datës 20 janar 2020 konstatohet se nuk ka patur gjendje të medikamentit Actinomycin D 0.5 mg, në disa prej rasteve është përdorur ky medikament në trajtim. Ky konstatim vjen bazuar në intervistat verbale që grupi i auditit të Kontrollit të Lërtë të Shtetit ka zhvilluar me mjekët e Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike, si dhe bazuar në shënimet e bëra në kartela, epikrizat e pacientëve, ku konstatohet se medikamenti është siguruar privatisht nga familjarët apo përmes donacioneve. Në gjykimin e grupit të auditimit, sigurimi në këto mënyra nuk ofron siguri të plotë për mënyrën e ruajtjes së këtij medikamenti dhe rrjedhimisht edhe të efektit të tij.

“Për periudhën objekt auditimi, bari Actinomycin D 0.5 mg është siguruar përmes donacionit nga Sheba Medical Center, spital në Izrael, i cili ka dhuruar 24 flakonë Actinomycin D 0.5 mg, në QSUNT. Referuar intervistave verbale me mjekët e Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike, donacioni ka ardhur në datën 24.12.2024, ndërsa shkresa e tij mban datën 25.12.2024, protokolluar në QSUNT me shkresën nr. 3068/1 prot., datë 26.12.2024.

Rezulton se deri në përfundim të fazës së auditimit në terren, në QSUNT gjendja e barit Actinomycin D 0.5mg duhet të rezultonte 2 flakonë, pasi 22 flakonë janë përdorur në trajtim referuar informacionit të sjellë nga Shërbimi i Onko-Hematologjisë Pediatrike. Në kushtet kur për marrjen në dorëzim të barit nuk është evidentuar procesverbal, ka qenë e pamundur të verifikohet fizikisht sasia e mbetur e barit duke qenë se nuk është bërë hyrje në inventar”, thuhet në raport.

KLSH në raport lë detyra për drejtorin e Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” që të marrë masa për zbatimin e një protokolli të unifikuar për marrjen në dorëzim, administrimin dhe raportimin e barnave të siguruara përmes donacioneve/ në mënyrë private, ku të përshihet informacioni për sasinë e marrë, datën, pacientin për të cilin përdoret, dozën e administruar dhe personin përgjegjës në spitalin Onkologjik.

Gjithashtu, KLSH rekomandon se drejtori i Përgjithshëm i QSUNT duhet të marrë masa për ngritjen e një grupi pune për verifikimin e flakonëve të mbetur gjendje të Actinomycin D, të cilët nuk evidentohen në inventar apo në sistemin elektronik.

Nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë dhe pasojët tek pacientët

Një nga shkaqet kryesore të këtyre problematikave të mëdha në sistemin shëndetësor shqiptar, konkretisht Shërbimit Onkologjik, është nënfinancimi buxhetor për sektorin e shëndetësisë.

Financimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) bëhet me transferime nga Buxheti i Shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe FSDKSH-së. Po ashtu, pjesë e financimit janë edhe të ardhurat dytësore, të cilat mbarten në vitin buxhetor pasardhës, të gjeneruara nga shërbimet e ofruara, kontratat me palë të treta apo donacione, përdorimi i të cilave bëhet tërësisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, bazuar në procedurat e miratuara nga MSHMS.

Together for Life çdo vit ngre shqetësimin për nënfinancimin e sektorit shëndetësor që sjell si pasojë mungesë shërbimesh, shërbime pa cilësi dhe përjashtimin e grupeve vulnerabël nga e drejta për të përfituar shërbim shëndetësor cilësor kudo dhe kurdo të përballueshëm për çdo kategori. Edhe në raportin e shoqatës Together For Life “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë për vitin 2024”, si dhe në raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 – Arritjet dhe Sfidat” rezulton se buxheti i shëndetësisë është më i ulët nga parashikimet në Strategjinë dhjetëvjeçare të shëndetësisë si dhe më i ulëti krahasuar me vendet e Rajonit. Shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike janë më të ulëtat me mesatarisht 9% përgjatë periudhës 2005-2022, sipas raporteve të mësipërme, ndërkohë që Shqipëria kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet nga xhepi në nivelin e 51%.

Mungesa e buxhetit të nevojshëm sigurisht do të shfaqë probleme edhe në mos ofrimi në kohë të barnave për pacientët me sëmundje onkologjike gjë që përbën një cënim të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtës kushtetuese për kujdes shëndetësor.

*Ky shkrim është prodhuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies dhe transparencës në sektorin shëndetësor në Shqipëri” mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED)