Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se Covid-19 nuk përfaqëson më një “emergjencë globale shëndetësore”.
Deklarata përfaqëson një hap të madh drejt përfundimit të pandemisë dhe vjen tre vjet pasi OBSH deklaroi për herë të parë nivelin e saj më të lartë të alarmit mbi virusin.
Zyrtarët thanë se shkalla e vdekjes nga virusi kishte rënë nga një kulm prej më shumë se 100,000 njerëz në javë në janar 2021 në pak më shumë se 3,500 më 24 prill.
Kreu i OBSH tha se të paktën shtatë milionë njerëz vdiqën nga pandemia.
Por Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shifra e vërtetë “ka gjasa” të jetë më afër 20 milion vdekjeve, gati tre herë më shumë se vlerësimi zyrtar, dhe ai paralajmëroi se virusi mbetej ende një kërcënim i rëndësishëm.
“Dje, Komiteti i Emergjencave u takua për herë të 15-të dhe më ka rekomanduar që të shpall të përfunduar emergjencën shëndetësore. E kam pranuar këtë këshillë.
Prandaj, me shpresë të madhe unë e shpall të përfunduar emergjencën globale shëndetësore për COVID-19”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli për herë të parë Covid një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar në janar 2020.
Rastet e para me sëmundjen COVID-19 u regjistruan për herë të parë në fund të vitit 2019 në Vuhan të Kinës. Më pas, sëmundja u përhap në mbarë botën.
Në Shqipëri nga Covid kanë humbur jetën mbi 3,600 persona.