
Pacientët me sëmundje tumorale në Shqipëri prej vitesh përballen me vështirësi të shumta në trajtimin që marrin në spitale, përfshirë mungesën ose vonesat e barnave jetike. Këto mungesa nuk janë thjesht çështje administrative, ato përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e pacientëve.
Në raportin e tij më të fundit të auditimit tematik mbi disponibilitetin e barnave në spitalet publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) evidenton problematika të thella në sistemin e furnizimit me barna antitumorale, duke nxjerrë në pah mangësi strukturore në planifikim, monitorim dhe mbikëqyrje.
Auditimi, i cili përfshiu Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, si dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zbuloi një situatë alarmante.
Sipas raportit të KLSH-së, nga 253 barna antitumorale të autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë, 116 prej tyre, ose 46% nuk janë importuar asnjëherë gjatë periudhës janar 2021 – mars 2025.
Nga auditimi i korrespondencave mes QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe nga shpjegimet e subjekteve të audituara, nënvizohet në raportin e KLSH-së, rezulton se Ministria nuk ka ezauruar në mënyrë shteruese mekanizmat monitorues në procesin e sigurimit të barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale.
Mosaplikimi i penaliteteve: kosto për buxhetin dhe goditje për transparencën
Nga 49 raste vonesash të pajustifikuara në furnizimin me barna antitumorale nga importuesit farmaceutikë, Drejtoria e Kontrollit e FSDKSH-së ka ndërmarrë masa vetëm në dy raste. Sipas raportit, penalitetet që duhej të ishin aplikuar për 49 subjektet përgjegjëse arrijnë në një vlerë totale prej 49 milionë lekësh, por edhe ato nuk janë zbatuar.
Ky fakt nuk përbën vetëm një mangësi administrative, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit. Mosaplikimi i penaliteteve nënkupton humbje të të ardhurave që duhej të rikuperoheshin në buxhet dhe dobësim të mekanizmave të disiplinës kontraktuale. Kur kontratat nuk shoqërohen me pasoja financiare për moszbatim, krijohet një precedent i rrezikshëm që ul standardin e përgjegjshmërisë dhe rrit riskun për abuzime apo keqmenaxhim të fondeve publike.
Mungesa e një mekanizmi të rregullt dhe funksional monitorimi, siç thekson KLSH, tregon se sektori i kontrollit ka vepruar në mënyrë selektive dhe jashtë një plani të miratuar. Kjo cenon parimin e barazisë dhe objektivitetit në zbatimin e ligjit, duke krijuar hapësirë për trajtim të pabarabartë të operatorëve ekonomikë.
Për më tepër, praktikat joefektive të mbikëqyrjes kanë çuar, në disa raste, në certifikimin e padrejtë të operatorëve si “pa probleme”, edhe kur janë evidentuar mungesa të zgjatura barnash në periudha kritike. Kjo dëmton transparencën institucionale dhe besimin publik, pasi raportimet zyrtare nuk pasqyrojnë realitetin e furnizimit.
Në aspektin financiar dhe të qeverisjes, kombinimi i vonesave të pajustifikuara, mungesës së penaliteteve dhe monitorimit selektiv krijon një cikël të mbyllur mosllogaridhënieje: fondet publike përdoren pa garanci për performancë kontraktuale, mekanizmat e kontrollit dobësohen, ndërsa transparenca dhe besimi në sistemin e furnizimit me barna cënohen ndjeshëm.
Parregullsi në menaxhimin e barnave – efekt i drejtpërdrejtë mbi pacientët me tumor
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton mangësi serioze në mirëadministrimin dhe dokumentimin e barnave në spitalet publike, ku janë konstatuar receta të dublikuara, mospërputhje ndërmjet sasive fizike dhe atyre të regjistruara në sistem, si dhe kërkesa të përsëritura të paplotësuara për të njëjtin pacient.
Këto nuk janë thjesht parregullsi teknike apo administrative. Për pacientët me sëmundje tumorale, të cilët ndjekin protokolle trajtimi të rrepta dhe ciklike, çdo gabim në dokumentim apo mosgjurmueshmëri e saktë e barnave mund të çojë në vonesa në terapi, ndërprerje të trajtimit ose zëvendësime të papërshtatshme të barnave. Në trajtimin onkologjik, vonesa prej disa ditësh mund të ndikojë në efektivitetin e terapisë dhe në progresionin e sëmundjes.
Recetat e dublikuara dhe mospërputhjet në sistem krijojnë pasiguri mbi gjendjen reale të barnave dhe mund të maskojnë mungesa faktike. Ndërkohë, kërkesat e paplotësuara të përsëritura për të njëjtin pacient tregojnë se sistemi nuk arrin të garantojë vazhdimësinë e trajtimit, një element jetik për pacientët me tumor.
Dobësitë në menaxhimin, dokumentimin dhe gjurmueshmërinë e barnave rrisin rrezikun jo vetëm për abuzime apo humbje financiare, por mbi të gjitha për cënim të sigurisë së pacientëve. Në kontekstin e trajtimeve onkologjike, ku terapitë janë jetike, këto mangësi përkthehen në rrezik real për përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe ulje të shanseve për mbijetesë.
Raporti i fundit i KLSH-së dërgon një mesazh të qartë: sistemi i furnizimit me barna, veçanërisht për pacientët me sëmundje tumorale, kërkon ndërhyrje të menjëhershme strukturore dhe llogaridhënie institucionale, në mënyrë që askush të mos përballet me mungesën e një trajtimi që i shpëton jetën.
