“Mjekja e familjes nuk më ka kërkuar kurrë para, por unë i lë nga një pesë mijëshe çdo herë që shkoj. Më është bërë zakon dhe më duket se, nëse nuk do t’i jap gjë, mjekes do t’i ngelet hatri, sepse tashmë e kam mësuar me pagesa. Ata që nuk kanë dhënë kurrë nuk e kanë problem.”, është ky rrëfimi i një qytetari, i cili dëshmon se praktika e pagesave informale në qendrat shëndetësore është normalizuar.

Këtë e pohojnë edhe të dhënat e sondazhit i  shoqatës “Together for Life”, në studimin  mbi prevalencën e pagesave informale në qendrat shëndetësore publike të Bashkisë Tiranë.

1 në 8 persona (80%) nga 400 të anketuar kanë pohuar se paguajnë për marrjen e shërbimeve dhe se kanë ofruar vetë pagesë në mënyrë spontane, me qëllim të sigurimit të një shërbimi më cilësor ose me më pak pritje.

Ky tregues nënvizon perceptimin e përhapur midis qytetarëve se cilësia e kujdesit shëndetësor varet nga pagesat informale dhe jo nga të drejtat e garantuara. Po ashtu, 12%, pranoi se kjo sjellje është kthyer në zakon, një rutinë e rrënjosur tek pacientët.

“Të them të drejtën nuk na kërkojnë para. Por, kur infermierja më vjen në shtëpi të më bëjë gjilpërën ia jap vetë një 5 mijë lekëshe . Stafi në qendrën shëndetësore janë njerëz të mirë. Nuk kërkojnë, por as nuk thonë pse m’i dhe.”

Normalizimi i praktikës së ryshfetit kërkon adresim të fenomenit dhe ndërgjegjësim të qytetarëve që e drejta për shëndet është e drejtë universale dhe shërbimet bazë ofrohen falas për të gjitha kategoritë e qytetarëve.

Mungesa e raportimit të rasteve të korrupsioni në qendrat shëndetësore në Tiranë.

Të dhënat e sondazhit gjithashtu tregojnë një prirje tejet shqetësuese: 99% e të anketuarve në bashkinë Tiranë deklarojnë se nuk kanë raportuar asnjëherë raste kur u është kërkuar apo kanë paguar ryshfet për të marrë shërbim në qendrat e kujdesit parësor shëndetësor. Ky nivel jashtëzakonisht i ulët raportimi pasqyron një kulturë të heshtjes dhe mosbesimit ndaj mekanizmave të ankesës dhe llogaridhënies.

Nga ana tjetër, kjo heshtje bie në kontrast të fortë me të dhënat e mëparshme të sondazhit, ku 44% e qytetarëve kanë pranuar se janë përballur me kërkesa për ryshfet. Mospërputhja mes përvojës së korrupsionit dhe mungesës së raportimit ngre shqetësime serioze për efektivitetin e sistemit të kontrollit dhe sigurinë që qytetarët ndiejnë për të denoncuar abuzimet.

“Kush guxon të raportojë? E ku do të shkoj të marr shërbim herën tjetër? Prapë në të njëjtin vend. Nuk mendoj se problemet tona zgjidhen me ankesa.”

Frika nga pasojat, veçanërisht në një sistem ku individi mund të mbetet sërish në varësi të të njëjtit profesionist apo strukture, shoqërohet me një mungesë të thellë besimi se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se do të mbrohen nëse denoncojnë.

Po ashtu, vërehet se është e përhapur ideja se ankesa nuk sjell asnjë ndryshim. Ky perceptim ushqen një cikël pasiviteti, ku qytetarët ndihen të pafuqishëm, të dorëzuar dhe të pavendosur për të kërkuar të drejtën e tyre. Kështu, heshtja bëhet mbrojtje, dhe mosreagimi kthehet në një formë mbijetese në një sistem ku drejtësia dhe përgjegjshmëria janë shpesh të largëta.

Rëndësia e raportimit të praktikave korruptive

Në sektorin e shëndetësisë, raportimi i praktikave korruptive mbetet një nga armët më të fuqishme për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie. Denoncimet e qytetarëve nuk janë thjesht ankesa, ato shërbejnë si sinjale alarmi që nxisin hetime, forcojnë mbikëqyrjen dhe i detyrojnë institucionet të veprojnë.

Të dhënat që vijnë nga këto raste janë burime informacioni për politikëbërësit: ato ndihmojnë në hartimin e strategjive më efektive kundër korrupsionit, nga rishikimi i tarifave zyrtare, tek përmirësimi i sistemeve të menaxhimit dhe krijimi i skemave motivuese financiare për stafin shëndetësor.

Pacientët që guxojnë të denoncojnë nuk duhet të kenë frikë se do të mbeten pa shërbim. Përkundrazi, ata duhet të ndihen të mbrojtur, sepse po luftojnë për të drejtat e tyre të garantuara falas nga shteti. Çdo denoncim është një hap drejt një sistemi më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë.

Nxitja e një klime të hapur diskutimi dhe ndëshkimi shembullor i shkelësve janë thelbësore për të transformuar mentalitetet.

Lufta kundër pagesave informale nuk është vetëm betejë kundër një praktike të dëmshme; është kusht i domosdoshëm për të arritur mbulim shëndetësor universal. Vetëm një sistem pa barriera të fshehta financiare mund të sigurojë që çdo qytetar të marrë shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, pa frikë, pa favor dhe pa kosto të padrejta.

*Ky postim zhvillohet në kuadër të projektit “Jashtë vëmendjes: Pagesat informale në marrjen e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Together for Life. Projekti është pjesë e Programit të Granteve të Vogla SELDI, në kuadër të projektit “Shoqëria Civile për Qeverisje të Mirë dhe Kundër Korrupsionit në Evropën Juglindore: Ndërtimi i Kapaciteteve për Avokim të Bazuar në Evidencë, Ndikim në Politika dhe Angazhim të Qytetarëve (SELDI.net)”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo të SELDI.net.