denonco@transparency.com.al

Blog

Si i mbushin recetat e mjekëve ‘zarfet’ e depove farmaceutike

Altini [emri i tij është ndryshuar], infermier në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, e mban mend shumë mirë takimin e tij të parë me drejtorin e depos farmaceutike ku bën aktualisht një punë të dytë.

“Në takimin e parë që pata me drejtorin gjeneral të depos farmaceutike, folëm për kontaktet që unë kam në spital,” kujton ai.

“Duke qenë se kam dhjetë vite që punoj si infermier në reparte të ndryshme, ky fakti i pëlqeu, pasi sipas tij mjekët specialistë janë ata që përshkruajnë më tepër receta,” shtoi infermieri, që punon gjithashtu si agjent shitjesh.

Altini është pjesë e një rrjeti të gjerë agjentësh të punësuar nga depot farmaceutike, të cilët përdorin pagesat informale ndaj mjekëve dhe farmacistëve për të infleuncuar shitjen e suplementeve ushqimore – të cila janë shpesh më të shtrenjta se medikamentet dhe nuk kanë ndikim në shëndetin e pacientit.

“Prania e suplementeve në recetat mjekësore, ndonëse nuk është e rekomandueshme, është e pranishme në Shqipëri,” theksoi kryetarja e Urdhërit të Farmacistëve, Diana Toma.

“Është tjetër gjë kur vitaminat, mineralet, aminoacidet, proteinat, në doza terapeutike tërheqin vëmendjen e mjekut dhe shikohen si alternativë për të t’u përdorur për një diagnozë të caktuar, por në dozat që përgjithësisht përmbajnë shtesat ushqimore, e vlerësoj si abuzim praninë e tyre në recetat  mjekësore,” shtoi ajo.

Sipas Tomës, abuzimi me rekomandimin e suplementeve nga mjekët filloi në vitin 2014 dhe arriti pikun gjatë pandemisë së COVID-19, duke u kthyer në një linjat kryesore të të ardhurave për tregun farmaceutik.

Drejtuesi i Urdhrit të Mjekut nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë mbi marrëdhënien informale të mjekëve me kompanitë farmaceutike.

Fryrja e tregut të suplementeve

Medikamente mjekesore ne nje farmaci. Foto ilustruese

Shtesat ushqimore [suplementet] janë burime të përqendruara të lëndëve ushqyese – minerale dhe vitamina ose substanca të tjera, me një efekt ushqyes ose fiziologjik që tregtohen në formë pilule. Ato nuk janë medikamente, si rrjedhojë importi dhe tregtia e tyre rregullohet nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga emisioni Top Story në televizionin Top-Channel, importi i suplementve u rrit nga 2.9 miliardë lekë në vitin 2015 në 4 miliardë lekë në vitin 2019. Por kostoja e importit është vetëm një fraksion i vlerës së shitjes së suplemente, duke e bërë vlerën e tregut të shtojcave ushqimore disa herë më të madh.

Sipas Altinit, infermierit të QSUNT-së dhe njëkohësisht agjent shitjesh, një pjesë e madhe e çmimit me pakicë të suplemeteve shkon për të paguar mjekët dhe farmacistët. Ai mori si shembull një flakon hekur, që një pacient e blen në farmaci për 1700 lekë. Nga kjo shumë 250 lekë i paguhen mjekut që ka lëshuar recetën, ndërsa farmacisti fiton 30% -35% të vlerës së shitjes.

“Në rast se ky produkt blihet nga pacienti, unë marr 29 lekë,  pra 2 përqind, ndërsa farmacisti nga 1700 lekë, përfiton 30-35%, pra afërsisht  510-595 lekë,” tha ai.

“Këto suplemente prodhohen me një kosto tepër të ulët, që do të thotë se efekti nuk është ai që reklamohet nga mjeku,” shtoi agjenti i shitjeve.

Ndryshe nga suplementet ushqimore, marzhi i fitimit për barnat nga farmacitë dhe depot farmaceutike është i rregulluar dhe përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Nga viti në vit, marzhi i tregtimit për barnat ka ardhur duke u tkurrur, fakt ky që sipas Diana Tomës, ka vënë në vështirësi ekzistenciale të gjithë zinxhirin farmaceutik – importues, shpërndarës me shumicë, shpërndarës me pakicë të barnave.

Shtesat ushqimore nuk kanë të përcaktuar marzhin e tregtimit të tyre dhe janë kthyer në burimin kryesor të të ardhurave të sektorit.

“Në qoftë se për barnat ekziston një VKM, pra është shteti që dikton çmimin e tregtimit të tij, për suplementin janë rregullat e tregtisë së lirë, të cilat përcaktojnë çmimin me të cilin ai do të tregtohet,” tha Toma.

“Në këtë situatë, si pasojë e vështirësisë në të mbijetuar, rrjedhojë kjo e përcaktimit të marzhit të tregtimit  të barnava pa asnjë studim paraprak nga qeveria, për pjesën dërrmuese të sistemit farmaceutik, tregtimi i suplementeve shihet si mekanizmi shpëtues”, shtoi ajo.

Sipas Tomës, importi i suplemeteve ka procedura gjithashtu shumë të thjeshta dhe pa hallka kontrolli siç ka tregtimi i barnave, i cili si fillim paraprihet nga regjistrimi i tyre.

“Tregtimi i suplementeve jo vetëm që po lulëzon, por fatkeqësisht është kthyer në patericë mbajtëse për sistemin farmaceutik,” theksoi ajo.

Zarfet për mjekët

Sipas mjekëve të intervistuar nga BIRN, marrëdhënia e deformuar financiare midis depove farmaceutike dhe mjekëve shkon pas në dekada.

Gazmend Koduzi, koordinator Kombëtar për Shëndetësinë në Partinë Demokratike i tha BIRN se kjo metodë është përdorur nga kompanitë farmaceutike për të zgjeruar tregun e shitjeve.

“Marrëdhënia midis kompanive farmaceutike dhe personelit mjekësor që lëshojnë receta ka fillesa të hershme, e cila është parë nga kompanitë si një mënyrë për të kapur tregun dhe rritur shitjet e tyre në vend,” shpjegoi ai.

Një mjek anestezist, i cili kërkoi të qëndrojë anonim pasi nuk do të ketë përplasje me kolegët e tij, i tha BIRN se kjo praktikë filloi pas viteve 2000.

“Në atë kohë, mjekëve nuk u jepej para, por u premtohej që do të shihnin botën,” tha anestezisti. “Duke qenë se liberalizimi i vizave nuk kishte ndodhur ende, mjekët tanë ishin të etur për të parë Europën,” shtoi ai.

Sipas doktorit anestezist, në atë kohë mjekëve u sigurohej nga kompanitë farmaceutike që të merrnin pjesë në konferenca mjekësore në shtete të ndryshme në BE-së.

“Kjo praktikë  vazhdoi deri në 2010, më pas shqiptarët fituan mundësinë e lëvizjes në BE pa burokraci ambasadash,” tha ai, ndërsa shtoi se mjekët kërkuan një tjetër formë shpërblimi nga depot.

“Ata kësaj here donin para në zarfe që nuk deklarohen në asnjë sistem pagash,” shtoi ai.

Suplementet në recetë

Foto ilustruese e ilaçeve nga Iliana Kirilova.

Sipas farmacistëve, përshkrimi i suplementeve në recetat mjekësore vjen kryesisht si pasojë e marrëdhënies së fshehtë financiare që vendoset midis depove farmaceutike dhe mjekëve.

Farmacistët thonë se depot farmaceutike i reklamojnë suplementet si kuruese, edhe pse ato nuk e kanë një efekt të tillë.

Për të bindur konsumatorin, grosistët e suplementeve kanë punësuar si imazhe tyre në reklama njerëz që kanë ndikim në publik – mjekë, artistë dhe persona që përfaqësojnë drejtësinë.

Një rol të rëndësishëm në këtë sistem luajnë dhe farmacistët, që sigurojnë nëpërmjet shitjes së suplementeve një marzh të kënaqshëm fitimi.

“Unë farmacinë e mbaj gjallë nga shitja e këtyre suplementeve, ku marzhi i fitimit është mbi 50%, pasi shteti nuk ma dikton mua si në rastin e barit se sa duhet ta shes një suplement,” tha një farmaciste nga Tirana.

Një  tjetër farmaciste, që gjithashtu zgjodhi të mbetet anonim pasi rrezikon vendin e punës, tha se përgjatë këtyre dy viteve pandemie, mjekët kanë përfituar shuma ‘marramendëse’ nga depot farmaceutike që tregtojnë barna dhe suplemente.

Ajo shpjegoi se farmacistët e kuptojnë se nga cila depo merr para mjeku, në momentin që bari shënohet me emrin tregtar, dhe kur i njëjti mjek kërkon të njëjtat suplemente shumë herë ose përshkruan suplementet të vetëm një depoje.

“Unë si farmaciste shumë herë më duhet të përplasem me pacientët kur u sugjeroj diçka më të mirë ose më të lirë,” tha ajo.

Farmacistja u ankua se biznesi vihet në rrezik finanaciar sa herë një mjek ndërron depot farmaceutike nga të cilat merr shpërblim.

“Unë si farmaciste marr atë bar që do mjeku, por mjekët shumë herë ndërrojnë dorën e depove dhe kështu produktet e para më mbesin në magazinë dhe nuk shiten,” shpjegoi ajo.

Çdo porosi që bëhet në farmaci dokumentohet nga agjentët e depove farmaceutike, në mënyrë që mjekët të marrin shpërblimin.

“Farmacisti dhe unë dokumentojmë me foto recetën në të cilën mjeku e ka përshkruar suplementin, më pas llogaritjet janë të thjeshta për t’u bërë,” shpegoi Altini, agjenti i shitjeve nga Tirana.

Drejtuesja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma është e trazuar nga kjo marrëdhënia kilienteliste e fshehtë e krijuar në kurriz të pacientëve.

“Mendoj se vetë përshkrimi i suplementit -përpos rasteve specifike, në një recetë mjekësore është abuzim, por abuzimi dhe më i madh që unë e kam hasur gjatë ushtrimit të profesionit tim është fakti që kostoja e recetës, shumëfishohet krahasuar me vlerën e barit të përshkruar në recetë, vetëm si rezultat i përshkrimit të suplementeve,” tha ajo.

“Pavarësisht denoncimeve të herëpashershme për këtë fenomen, shteti hesht,” përfundoi Toma.

Autor: Rudina Muça

sqAlbanian