denonco@transparency.com.al

Blog

SPAK kërkon gjykimin e Ilir Beqjas dhe bashkëpunëtorëve të tij në aferën e sterilizimit

Prokuroria e Posaçme përfundon hetimet për aferën e sterilizimit dhe kërkon gjykimin si përgjegjës të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, zëvendësit të tij Klodian Rrjepaj, biznesmenit Ilir Rrapaj dhe gjashtë zyrtarëve të tjerë, duke i akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim e mashtrim, vepra penale të kryera në bashkëpunim.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është dërguar për gjykim për “shpërdorim detyre” lidhur me aferën e sterilizimit, së bashku me zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj, si dhe anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben GjataSaimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.

Në njoftim e SPAK thuhet se ish-zëvëndësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare, duke  ritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme kostot e kontratës PPP në masën 56.4%.

“Në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton plotësisht e provuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që janë paraqitur  Ministrisë së Financave“, tha SPAK.

Po ashtu, me qëllim uljen e normës së brendshme të kthimit, IRR dhe shtimin e vlerës së investimit që planifikohet, NPV, i pandehuri Klodian Rrjepaj akuzohet se ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.

Gjithashtu në ‘Krahasuesin e Sektorit Publik’, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me koncension partneritet publik privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi.

Gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, i pandehuri Rjepaj akuzohet se ka bashkëpunuar ngushtësisht me te pandehurin Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues këtë biznesmen.

Për këto veprime, të pandehurit Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, akuzohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda.

Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi që ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të këtij komisioni, Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, akuzohen se me veprime aktive kanë ligjëruar dokumentet me të dhëna të pavërteta, duke konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim.  .

Në vijim prokuroria argumenton, se ish-ministri Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për koncesionet, rezulton e provuar se ka shpërdoruar detyrën.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal është proceduar me caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive, për pjesën takuese prej 40 % të Shoqërisë  “Sani Servicve” Sh.p.k.;  shoqërinë ‘Globalsher’ Sh.p.k. dhe asetet e saj, me ortak të vetëm të pandehurin Ilir Rapaj.

Janë sekuestruar dhe llogaritë bankare të subjektit “Globalsher” sh.p.k., një llogari në shumën prej 285 mijë e 412 euro, një llogari me balancë prej 113 mijë lekë, 13 automjete dhe një apartament në pronësi të kësaj shoqërie.

SPAK njofton se ka ndarë hetimin lidhur me dyshimet për veprime në kundërshtim me ligjin nga persona subjekte të hetimit të kësaj prokurorie gjatë fazës së ekzekutimit të kontratës konçesionare etj.

Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017 u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.

Në vitin 2021, Beqaj u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta caktuar atë me masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat për sa i përket aferës së sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Një hetim tjetër i SPAK ngriti dyshime se pasi Beqaj u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.

Burimi: Reporter.al

sqAlbanian