Kanceri i qafës së mitrës është një nga llojet më të zakonshme të kancerit që prek gratë në mbarë botën, dhe është një shkak kryesor i vdekjeve nga kanceri. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përpjekjet për të luftuar këtë sëmundje, duke futur vaksinën HPV (Human Papillomavirus) si pjesë të kalendarëve të imunizimit të vendit. Megjithatë, ndonëse vaksina ka potencial të madh për parandalimin e këtij kanceri, niveli i vaksinimit mbetet shqetësues, duke kërkuar përpjekje më të mëdha për të arritur grupet e popullsisë që kanë nevojë për mbrojtje.
Shqipëria: Vaksinimi që po ecën ngadalë
Në raportin e monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 pregatitur nga TFL është evidentuar futja për herë të parë e vaksinës HPV në nëntor të vitit 2022. Sipas të dhënave në raport rezulton se, gjatë vitit 2023 janë aplikuar 11,713 doza dhe 3,990 doza gjatë dy muajve të parë të 2024. Niveli i vaksinimit vlerësohet shumë i ulët, krahasuar me nevojën.
Në ditët e para të vitit 2025 ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, bëri të ditur se janë administruar gjithsej 16,259 doza të vaksinës HPV, një shifër që përfshin dy grupe të ndryshme të vajzave: 6,492 vaksina për vajzat 13 vjeç dhe 9,767 vaksina për vajzat 14-20 vjeç. Ky vaksiminim është pjesë e një fushate që synon mbrojtjen e vajzave dhe grave nga infeksionet e HPV, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës.
Çdo vit në Shqipëri diagnostikohen 100 deri në 130 raste të reja. Pavarësisht rëndësisë së vaksinës, ministrja Koçiu e ka pranuar që niveli i vaksinimit është ende i ulët, duke theksuar nevojën për më shumë fushata informuese dhe shtim të mbulueshmërisë.
Krahasuar me nevojat e popullsisë dhe statistikave, shifrat aktuale të vaksinimit janë ende larg qëllimit. Sipas një raporti të Ministrisë së Shëndetësisë, nevoja për vaksinim është shumë më e madhe, duke sugjeruar se duhet më shumë angazhim dhe burime për të arritur një mbulim të duhur.
Në strategjinë e vaksinimit për vitet 2024-2030, Shqipëria ka përcaktuar një numër specifik të vaksinave HPV që synohet të aplikohen për vitin 2025. Sipas planifikimeve të strategjisë, për vitin 2025, Shqipëria ka për qëllim të aplikojë 21,000 doza të vaksinës HPV. Ky është një objektiv që përfshin vaksinimin e vajzave 14-20 vjeç dhe ka për qëllim të rrisë mbulimin vaksinal dhe të kontribuoni në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
Pse është kaq e rëndësishme vaksina HPV?
HPV është një infeksion seksualisht i transmetueshëm që mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës, por gjithashtu është lidhur me kanceret e organeve të tjera, si vagina, penisi dhe orofaringu. Vaksina kundër HPV është një mjet i provuar për të parandaluar këto infeksione dhe kanceret që mund të zhvillohen si pasojë e tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vaksina është më efektive kur administrohet tek vajzat dhe djemtë para se të fillojnë të jenë aktivë seksualisht, kjo për shkak se HPV mund të transmetohet përmes kontaktit seksual.
Të dhënat e OBSH dhe rekomandimet për vaksinim
OBSH rekomandon vaksinimin e vajzave nga mosha 9 deri në 14 vjeç, për të parandaluar infeksionet nga HPV. Për vajzat dhe gratë deri në 20 vjeç, një dozë e vetme është e mjaftueshme, ndërsa për ata që janë më të mëdha, mund të kërkohen dy doza të vaksinë HPV. Po ashtu, OBSH sugjeron që vaksina të administrohet edhe për djemtë, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit.
Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve (CDC) pohon se vaksina HPV nuk rekomandohet për personat mbi 26 vjeç. Por, vaksinimi i personave mbi 26 vjeç deri në 45 vjeç mund të bëhet vetëm me rekomandimin e mjekut.
“Vaksina HPV sjell pak përfitime në këtë grup-moshë, për disa arsye, përfshirë edhe atë se më shumë njerëz të këtij grupi veçse mund të jenë ekspozuar ndaj HPV-së”, thuhet në ëeb-faqen e CDC-së.
Një tjetër rekomandim i OBSH është që vaksina HPV të jetë pjesë e kalendarëve të imunizimit të çdo vendi, si një masë parandaluese për shëndetin publik. Disa shtete të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë përfshirë vaksinat HPV në kalendarët e imunizimit të detyrueshëm, dhe është e nevojshme që vendet e tjera, si Shqipëria dhe Kosova, të bëjnë më shumë përpjekje për të rritur mbulueshmërinë dhe për të shpërndarë informacion për përfitimet e vaksinës.
Vaksina HPV në kalendarin e vaksinimit të disa vendeve të rajonit
Ndërsa Shqipëria ka nisur vaksinimin e HPV për vajzat që prej vitit 2022, Kosova ka bërë po ashtu hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, në vitin 2024, 10,000 vajza janë vaksinuar kundër HPV, duke arritur një mbulueshmëri prej 84% në nivel vendi. Ky është një rezultat i rëndësishëm për një shtet që ka futur vaksinën HPV në kalendarin e imunizimit vetëm vitin e kaluar. Djemtë gjithashtu pritet të vaksinohen, duke zgjeruar kështu përfitimet e vaksinës për mbrojtjen e të gjithë popullatës.
Në Kosovë, vaksina është dhënë falas për vajzat 11-12 vjeç, dhe autoritetet shprehen të kënaqura me rezultatet, pasi nuk janë raportuar efekte anësore të rënda deri tani. Sidoqoftë, si Shqipëria, edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme – nevoja për një mbulueshmëri më të gjerë dhe sensibilizimin e prindërve, që për të vaksinuar fëmijët e tyre dhe për të siguruar mbrojtje të qëndrueshme.
Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, vaksina HPV është në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. E fundit që futi në kalendar këtë vaksinë ishte Shqipëria, në nëntor të vitit 2022.
Në shtator të po atij viti, Mali i Zi kishte nisur administrimin e kësaj vaksine.
Maqedonia e Veriut e ka këtë vaksinë në kalendar që nga viti 2013 dhe vaksina është e detyrueshme për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.
Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV. Në këtë shtet, kjo vaksinë rekomandohet të merret, por nuk është e obligueshme.
Vaksina HPV jepet edhe në Bosnje e Hercegovinë, ndonëse nuk është e obligueshme.
Vaksina kundër HPV: Rruga drejt një Shëndeti Publik më të sigurt
Megjithëse Shqipëria ka bërë përparime në vaksinimin kundër HPV, është e qartë se niveli i vaksinimit është ende larg nevojave të vërteta.
Vaksina HPV nuk është thjesht një mundësi, por një nevojë urgjente që kërkon vëmendje dhe angazhim të menjëhershëm.
Ky shkrim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjeshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile” . Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Together for Life dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian
