Një vajzë 17-vjeçare nga Durrësi humbi jetën dje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si pasojë e meninigitit akut. Ky rast tragjik ka ringjallur shqetësimet për mungesën e vaksinës kundër meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit, duke theksuar urgjencën e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse.
Në fillim të nëntorit, Together for Life (TFL) publikoi raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030”, ku evidentoi se kjo vaksinë, edhe pse e parashikuar për t’u përfshirë që në vitin 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, rezulton se nuk është përfshirë as për vitin 2023 dhe as për 2024.
Në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, TFL i bëri thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të planifikojnë buxhetin e nevojshëm për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e vitit 2025, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur objektivin e mbulimit universal shëndetësor, përfshirë aksesin në vaksina të sigurta dhe efikase për të gjithë.
Shqipëria çdo vit regjistron 20-30 raste të meningjitit, që jo rrallë rezultojnë fatale për shëndetin apo jetën e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të rinj.
Meningjiti rezulton fatal veçanërisht kur preket cipa e trurit apo gjaku, që mesa duket është edhe rasti i 17-vjeçares.
Aplikimi i vaksinës kundër meningokokut konsiderohet si një mjet parandalues thelbësor, që rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në mjedise të mbyllura, si konvikte, çerdhe dhe kopshte, dhe për ata me sistem të dobët imunitar.
Përfshirja e kësaj vaksine në kalendarin kombëtar, jo vetëm do të shmangte humbjen e jetëve në të ardhmen, por gjithashtu do të reduktonte barrën financiare për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga virusi meningokok.
Për Drejtoren Ekzekutive të TFL, Eglantina Bardhi: “Vaksina kundër meningokokut tashmë nuk është thjesht një mundësi, por një domosdoshmëri për ruajtjen e jetës së fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri. Humbja e jetës së 17-vjeçares të prekur nga meningokoku duhet të shërbejë si katalizator për veprime të menjëhershme dhe përkushtim më të madh ndaj shëndetit publik. Ministria e Shëndetësisë duhet të veprojë tani, nëpërmjet futjes menjëherë të vaksinës së meningokokut në kalendarin e vaksinave të viti 2025 si një masë e nevojshme dhe e domosdoshme parandaluese, që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.”