Gjykata e Posaçme shpalli më 4 mars vendimin për tetë nga nëntë të pandehurit për aferën e koncesionit të sterilizimit, proces që po zhvillohet me gjykim të shkurtuar pas ndarjes më vete të çështjes së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Bib Ndreca dhe me anëtarë Flora Hajredinaj dhe Elsa Ulliri vendosi që të shpallë fajtorë ish. zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj për veprën penale të vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës, duke i dënuar përfundimisht me nga 4 vjet burg.

Rrepaj dhe Rrapaj u shpallën të pafajshëm për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal.

Gjykata shpalli fajtorë edhe të pandehurit e tjerë, Marsela Serjani, Naile Ajazi, Arben Gjata, Genc Burazeri, Petref Mersini dhe Saimir Kadiu, por masat e dënimit ndaj tyre ose u shuan, ose u konvertuan në shërbim prove.

Sipas të njëjtit vendim të seancës paraprake për kalimin e çështjes së sterilizimit për gjykim, të dhënë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, për veprën penale “grup i strukturar kriminal”, akuzohet edhe ish-ministri Ilir Beqaj. Prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kërkuan gjykimin e Beqajt vetëm për “shpërdorim detyre”, por Davidhi i ftoi që të konstatonin se Beqaj dhe të akuzuarit si bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Rrjepaj dhe Rrapaj, kishin kryer vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim dhe se kishin vepruar si grup i strukturar kriminal. Prokurorët kërkuan atëherë të vijohej kalimi i çështjes për gjykim me akuzat e konstatuara nga gjykata.

Hetimet e SPAK zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit edi rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.

Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, post nga u dorëhoq në nëntor të vitit 2023. Në tetor të atij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Beqaj është dërguar për gjykim së bashku me 10 të pandehur të tjerë për aferën korruptive me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kuhën kur ai drejtonte SASPAC./birn