Shoqata Together for Life (TFL) mori pjesë në konferencën “Drejt një shpenzimi publik më efektiv: Reforma të harmonizuara me standardet e BE-së në menaxhimin e investimeve publike dhe rishikimin e shpenzimeve publike”, organizuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, në kuadër të projektit “EU for Good Governance”.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si edhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët diskutuan mbi reformat në menaxhimin e financave publike, investimet publike dhe rëndësinë e rishikimeve të shpenzimeve publike për rritjen e efikasitetit, transparencës dhe orientimit të politikave publike drejt rezultateve konkrete për qytetarët.
E ftuar për të kontribuar si një nga folëset e panelit me temë “Nga shpenzimet drejt rezultateve: si mund të ndihmojnë rishikimet e shpenzimeve publike”, menaxherja e projekteve në TFL, Alma Lahe, ndau eksperiencën disavjeçare të organizatës në monitorimin e buxhetit vjetor në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se shoqëria civile luan një rol kyç në lidhjen mes analizës së buxhetit publik dhe ndikimit real që ai ka në jetën e qytetarëve, për të garantuar shërbime më cilësore, të qëndrueshme, të aksesueshme dhe më të përballueshme për çdo qytetar.
TFL nënvizoi rëndësinë e përfshirjes reale dhe kuptimplote të shoqërisë civile në proceset e planifikimit, rishikimit dhe monitorimit të buxhetit publik, përtej mekanizmave formalë të konsultimit. Në fjalën e saj, znj. Lahe evidentoi nevojën që institucionet publike të respektojnë standardet dhe detyrimet ligjore për buxhetimin me pjesëmarrje, përfshirë transparencën, njoftimin në kohë të konsultimeve dhe vënien në dispozicion të dokumenteve përkatëse.
TFL shprehu gatishmërinë për të kontribuar që në fazat e hershme të analizimit të Projekt-Buxhetit Afatmesëm, duke qenë pjesë aktive e proceseve të rishikimit të shpenzimeve publike, me synim hartimin e buxheteve publike më efikase, transparente dhe të orientuara drejt nevojave reale të qytetarëve.
