Nisur nga artikulli “Qeveria privatizon tenderat e shëndetësisë”, publikuar sot nga portali KAPITALI[1], ku bëhet e ditur se Qeveria po përgatit një projektligj për krijimin e një shoqërie shtetërore që do të administrojë furnizimin me barna, pajisje mjekësore dhe shërbime të tjera mbështetëse për institucionet shëndetësore publike, Together for Life (TFL) shpreh shqetësimin e saj dhe kërkon transparencë të plotë mbi këtë nismë.
Deri në momentin e publikimit të këtij reagimi, Together for Life nuk ka mundur të sigurojë draftin e projektligjit, i cili nuk rezulton i publikuar në asnjë prej faqeve zyrtare të Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Kuvendit të Shqipërisë apo Portalit të Konsultimit Publik. Për këtë arsye, TFL nuk mund të komentojë përmbajtjen konkrete të draftit, por vlerëson se një reformë që prek administrimin e qindra milionë eurove fonde publike duhet të jetë plotësisht transparente dhe t’i nënshtrohet konsultimit të gjerë publik.
Ky shqetësim mbështetet edhe në gjetjet e monitorimit që Together for Life ka zhvilluar gjatë dy viteve të fundit mbi procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (sot Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale), monitorim që ka evidentuar problematika serioze në funksionimin e konkurrencës dhe përdorimin efikas të fondeve publike.
Veçanërisht gjatë vitit 2024, periudhë në të cilën janë lidhur shumica e marrëveshjeve kuadër me afat 3-vjeçar për furnizimin me barna dhe pajisje mjekësore, TFL ka konstatuar një nivel shumë të ulët konkurrence, me mesatarisht vetëm 1.37 operatorë ekonomikë pjesëmarrës për procedurë, tregues që bie ndesh me parimet e konkurrencës efektive dhe rrit rrezikun për kufizimin e tregut. Po ashtu, analiza e procedurave të prokurimit ka evidentuar se ofertat fituese kanë qenë mesatarisht vetëm 2% më të ulëta se fondi limit, çka tregon konkurrencë minimale në proceset e tenderimit dhe humbje të ndjeshme të buxhetit. Në standardet ndërkombëtare të monitorimit të prokurimeve publike, diferenca kaq të vogla ndërmjet ofertës fituese dhe fondit limit mund të sinjalizojnë procedura me konkurrencë të kufizuar ose kritere të hartuara në mënyrë që favorizojnë operatorë të caktuar ekonomikë. Një tjetër gjetje shqetësuese e Raportit ‘PROKURIMET PUBLIKE NË SEKTORIN E SHËNDETËSISË PËR VITIN 2024”[2] është përqendrimi i lartë i kontratave publike. 72% e tenderëve të monitoruar gjatë vitit 2024 janë fituar vetëm nga 10 kompani, kryesisht në sektorin farmaceutik dhe atë të furnizimit me pajisje mjekësore. Një nivel i tillë përqendrimi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi hapjen reale të tregut dhe mundësinë që operatorë të tjerë ekonomikë të konkurrojnë në mënyrë të barabartë.
Bazuar në këtë situatë të evidentuar në fushën e prokurimeve në sektorin e shëndetësisë në vite, Together for Life shpreh shqetësimin se krijimi i një shoqërie të re shtetërore për administrimin e prokurimeve në këtë sektor nuk adreson automatikisht problematikat, përkundrazi me propozimin e ri ekziston rreziku real që këto problematika jo vetëm të mos zgjidhen, por të institucionalizohen në një shkallë edhe më të gjerë. Centralizimi i vendimmarrjes mbi kontrata që përfshijnë qindra milionë euro fonde publike duhet të shoqërohet me standarde edhe më të larta të konkurrencës dhe të mbikëqyrjes, jo me reduktim të kontrollit publik.
Nëse shoqëria shtetërore që pritet të krijohet do të ketë kompetencë të administrojë dhe zhvillojë procedurat e furnizimit me barna, pajisje mjekësore dhe shërbime mbështetëse për institucionet publike shëndetësore, atëherë kjo do të përqendrojë në një subjekt të vetëm një pjesë shumë të madhe të fondeve publike të sektorit. Pikërisht për këtë arsye, transparenca duhet të jetë e lartë duke filluar nga propozimi i ri, ndërsa mekanizmat e kontrollit duhet të jenë më të fortë se kurrë. Përndryshe, rreziku i përqendrimit të tregut, kufizimit të konkurrencës dhe rritjes së kostove për buxhetin e shtetit bëhet edhe më i madh.
Përvoja e monitorimit të Together for Life tregon se problemi kryesor nuk ka qenë mungesa e një strukture të centralizuar, por mungesa e konkurrencës efektive dhe e transparencës në zhvillimin e procedurave. Mesatarisht vetëm 1.37 operatorë ekonomikë për procedurë, ofertat fituese vetëm 2% nën fondin limit dhe fakti që 72% e tenderëve janë fituar nga vetëm 10 kompani (Sipas Raportit të TFL) përbëjnë tregues që kërkojnë ndërhyrje për forcimin e integritetit të sistemit të prokurimeve, jo thjesht ndryshimin e institucionit që administron fondet.
Çdo reformë që centralizon vendimmarrjen mbi fondet publike duhet të shoqërohet me garanci ligjore të qarta për publikimin e plotë të dokumentacionit të prokurimeve, monitorim të pavarur nga institucionet e kontrollit dhe shoqëria civile, raportim periodik publik mbi përdorimin e fondeve, si dhe mekanizma efektivë për parandalimin e konfliktit të interesit dhe favorizimit të operatorëve ekonomikë. Në të kundërt, ekziston rreziku që modeli i ri të përqendrojë jo vetëm fondet publike, por edhe problematikat që prej vitesh kanë shoqëruar prokurimet në sektorin e shëndetësisë.
[1] https://kapitali.al/lajme-nga-vendi/ekskluzive-qeveria-privatizon-tenderat-e-shendetesise-i36761?fbclid=IwY2xjawTdR4dleHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEec7XEdFmKK-5ZIENFA5NQbDLA7Ql9MAxgZ5uTIcyF2r9IMYHgPGoI_OWUWFQ_aem_DvC3bYnJQfjEK6wqZVJ9RQ
[2] https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2025/05/Raport-mbi-Prokurimet-publike-ne-sektorin-e-shendetesise-per-vitin-2024.pdf
