Nga të dhënat e Raportit vjetor të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FDSKSH) 2019-2022 vihet re se spitalet universitare të cilat janë të gjitha të përqendruara në qytetin e Tiranës kanë dhe numrin më të lartë të shtrimeve me 159 mijë shtrime. Ndërkohë spitalet rajonale dhe ato bashkiake të cilat janë të shpërndara në të gjitha rrethet e vendit karakterizohen nga një trend në rënie i shtrimeve duke filluar që nga viti 2020. Në raportet vjetore 2019-2022 të FDSKSH mungon një analizë e arsyes të kësaj performance. Ndërkohë që po t’i referohemi informacionit për auditimet tematike që realizohen nga auditi i brendshëm i FDSKSH nuk gjendet informacion nëse është realizuar ndonjë auditim mbi eficiencën e financimit të spitaleve rajonale apo bashkiake që kanë një numër të vogël shtrimesh.

Më poshtë paraqitet, koeficienti mesatar i shfrytëzimit të shtretërve sipas tipeve të spitaleve:

Sikurse shihet koeficientët e shfrytëzimit të shtretërve në spitalet rajonale qëndrojnë nën nivelin prej 30%, ndërkohë që shfrytëzimi më i lartë i shtretërve mbetet në spitalet universitare të lokalizuara në qytetin e Tiranës.
Sa i përket treguesit tjetër të rëndësishëm të lidhur me ditët mesatare të qëndrimit, ajo që vihet re është që analiza e faktorëve të ndikimit nga FDSKSH vazhdon të bëhet në nivel agregat duke “kamufluar” nën këtë analizë spitalet problematike që kanë ditë mesatare qëndrimi të larta mbi nivelin mesatar.
Sikurse shihet problematikë paraqiten dy spitale universitare, spitali “Shefqet Ndroqi” dhe “Spitali Universitar i Traumës”, të cilët karakterizohen nga ditë të larta mesatare qëndrimi duke filluar nga 6 deri në 10 ditë. Në studime të ndryshme, koha e gjatë e qëndrimit në spitale lidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me riskun e marrjes së infeksioneve e cila ndikon në treguesin tjetër të performancës së spitaleve të lidhur me shkallën e lartë të mortalitetit.
Nga ana tjetër sa më i lartë qëndrimi në spital, aq më shumë rritet kostoja për trajtimin e pacientëve. Në kushtet kur mesatarja e qëndrimit në spitalet universitare është 3.8 ditë nevojitet të analizohen shkaqet që qëndrojnë pas një mesatare qëndrimi kaq të lartë në spitalet e sipërpërmendura.
Treguesit e performancës nuk duhet të përdoren thjesht në nivel raportimi, por duhet të analizohen nga FDSKSH për të mundësuar dhe ndërmarrjen e hapave korrektues në menaxhimin e spitaleve që rezultojnë ineficientë në përdorimin e fondeve publike.
Ky artikull është pjesë e raportit “FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR: A mbulon skema nevojat reale për kujdes shëndetësor?” zhvilluar dhe publikuar nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy. Për më tepër: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/03/Raport_A-mbulon-Skema-nevojat-reale-per-kujdes-shendetesor.pdf