denonco@transparency.com.al

Blog

Radhë në spitalet shtetërore për vendosjen e protezave ortopedike. 50 vjeçarja: Kam dy vite që pres

V.H, nënë e tre fëmijëve, prej dy vitesh qëndron në pritje të një proteze ortopedike për shkak të një problemi shëndetësor që ka me këmbën e djathtë.

Sa herë shkoj më thonë se nuk ka. Jemi në pritje, po unë kam dy vite që pres dhe spo më vjen radha”, shprehet 50-vjeçarja, të cilës problemi fizik me këmbën e djathtë i ka kushtëzuar ndjeshëm jetesën e përditshme. “Kam dhimbje, nuk lëviz dot shumë”, tregon ajo, duke shtuar se nga mjekët nuk është cilësuar si rast urgjent.

Ndërkohë ndërhyrja për të cilën ajo ka nevojë, po të kryhet në privat është e kushtueshme.

Nuk kam mundësi ta përballoj, vetëm proteza kushton rreth 1500- 2000 euro. Te ne vetëm bashkëshorti punon, a do mbajë familjen, fëmijët në shkollë apo shpenzimet e mia shëndetësore? Ndërhyrja në privat kushton rreth 5000 euro”, thotë ajo, duke shtuar se nuk ka kush ta ndihmojë me shumën monetare të nevojshme.

Ndërkohë, ndërhyrje të ngjashme ofrohen edhe nga spitalet private, por çmimet e tyre janë të kripura për xhepat e shqiptarëve.

R.C, 26 vjeç është një nga qytetaret, e cila  ka preferuar ta bëj këtë ndërhyrje në privat edhe pse çmimi ishte i kripur.

Unë kam patur të dëmtuar meniskun dhe këputje të ligamentit. Operacioni kushtoi 4500 euro dhe kisha të përfshirë operacionin, dy netë qëndrimi në spital, ushqimin, kontrollet me mjekun, ndihmën e infermierëve sa herë i kërkoja etj”,  tregon ajo, duke shtuar se zgjedhja për ta bërë operacionin në privat ishte e ndikuar nga besimi që kishte te mjeku, që e kishte ndjekur që në nisje të problemit të saj,  por edhe paketa e plotë që ofrohet nga spitalet private. “Zgjodha mjekun që kisha më shumë besim dhe mjeku që doja ishte në privat. Kur analizova pjesën e benefiteve që paguaj një herë dhe i kam të përfshira të gjitha u ndjeva më e sigurtë dhe e qetë”, tregon ajo.

Shërbimi me implante ortopedike falas, u trumpetua me të madhe në  vitin 2016 si një arritje e shëndetësisë në Shqipëri, duke nisur fillimisht në Spitalin Universitar të Traumës dhe më pas do të ofrohej edhe nëpër spitalet rajonale. Por statistikat tregojnë të kundërtën.

Sinjalizo”, iu drejtua me një kërkesë për informacion Spitalit Universitar të Traumës, strukturë spitalore në të cilën u implementua për herë të parë ofrimi i implanteve ortopedike falas, ku i kërkoi të dinte se sa ishte numri i operacioneve të kryera në kuadër të kësaj nisme.

Në përgjigje të kërkesës tonë, Spitali i Traumës u shpreh  zyrtarisht se: “Numri i ndërhyrjeve kirurgjikale (operacioneve) përgjatë viteve është shumë i lartë dhe kërkon një kohë të gjatë për përpunimin e të dhënave të kërkuara pasi sektori i statistikës në SUT ka personel të kufizuar dhe nuk mund të përpunojë në një kohë të shkurtër të dhënat e disa viteve”.

Për vitet 2016-2018, Spitali i Traumës i ka vendosur në dispozicion  këto të dhëna, shoqatës “Together for Life”, sipas të cilës:  “Lidhur me numrin e pacientëve që kanë përfituar proteza për vitet 2016-2018,  rezulton se janë 513 pacientë. Ndërkohë aktualisht në listë pritje rezultojnë 891 pacientë. Nëse për 3 vite numri i pacientëve që kanë përfituar proteza ka qenë 513, me një pjesëtim të thjeshtë i bie 171 pacientë të protezuar në vit. Nëse në listë pritje janë 819 pacientë, i bie që radha të jetë e rezervuar për 4- 5 vjet”.

Ndërkohë i pyetur nga “Sinjalizo”, Spitali Universitar i Traumës bëri me dije se janë 900 persona në  listën e pritjes për implante ortopedike.  Ndër të tjera, Spitali i Traumës thotë se: “Numri i personave në listën e pritjes është vazhdimisht duke u reduktuar. Ju bëjmë me dije se pacientët e shtruar si raste urgjence në SUT kane marrë shërbim të menjëhershëm. Rastet e planifikuara janë në proces trajtimi të nevojave të tyre dhe numri i tyre është duke u ulur duke patur parasysh dhe shtimin gradual të fondeve në dispozicion të SUT”.

Spitali Universitar i Traumës  shprehet se buxheti për shërbimin e ortopedisë ka qenë vazhdimisht në rritje. “Sipas informacioneve që kemi në SUT buxheti për materialet ortopedike ka qenë si më poshtë:

– tre vitet 2016-2017-2018  –  dyqind milionë lekë pa Tvsh;

– vitet 2019-2020 –   dyqind e dyzetë milionë lekë pa Tvsh;

– vitet 2021-2022-  treqind milionë lekë pa Tvsh”, thotë zyrtarisht spitali i Traumës, duke shtuar se në fund të vitit 2022, është nënshkruar një marrëveshje kuadër për 24 muajt në vazhdim me fondin: treqind e pesëdhjetë e gjashtë milionë lekë të reja pa Tvsh.

“Sinjalizo”, i dërgoi edhe një kërkesë për reagim Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me programin e protezave ortopedike falas në spitalet shtetërore, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë një përgjigje.

Kërkesë e madhe, shërbimi më ritme të ngadalta

Denisa Cenameti, menaxhere  programesh të shëndetësisë në shoqatën “Togather for life” shprehet se nevoja për implante ortopedike falas është shumë e madhe.

Lista e pritjes sipas burimeve tona shkon rreth 1000, ndërsa sipas të dhënave të spitalit të Traumës çdo vit përfitojnë proteza ortopedike rreth 280 pacientë. Pra nevoja është shumëfish më e lartë”, shprehet ajo, duke shtuar se në kontekstin e decentralizimit të shërbimeve shëndetësore, shpërndarja në spitale rajonale është një vendimmarrje shumë e mirë. Megjithatë, në kushtet e mungesës së buxhetit për këtë shërbim, ofrimi i shërbimit mbetet i vështirë si për Tiranën ashtu edhe për rrethet.

“Duhet të planifikohet furnizimi me paisje sipas nevojave dhe jo të bëhen planifikime bazuar në buxhetin e një viti më parë”, këmbëngul Cenameti.

Raporti i Komisionit Europian: Sistemi shëndetësor në Shqipëri është i nën-financuar

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2018, Shqipëria harxhoi një shifër prej 275 dollarë për frymë, vit ky, ku mesatarja e vendeve të Ballkanit ishte në 500 dollarë për frymë, duke shpenzuar në total 2.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kur vendet fqinje, buxheti për këtë sektor shkon në 5% të PBB.

Ndërkohë në vitin 2020, shteti shqiptar për shërbimin parësor, spitalet bashkiake, ato rajonale, Universitare si dhe Urgjenca do të shpenzonte në total vetëm 113 euro për frymë, duke mos justifikuar as shumën e sigurimeve shëndetësore prej 29.400 lekë që i mbahet një të punësuari me një rrogë prej 50 mijë lekësh.

Nga ana tjetër, Komisioni Europian në raportin përmbyllës të tij në vitin 2022, me titull “Progresi i Reformave Ekonomike i Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Turqisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës”, do të theksonte se sektori shëndetësor në Shqipëri është i nënfinancuar dhe ka një pjesë domethënëse të njerëzve të pasiguruar.

Janë rreth 600 mijë njerëz të pasiguruar (rreth 21% e të gjithë popullsisë). Ata janë më së shumti punëtorë informal, grupe me të ardhura të vogla, minoritetet dhe njerëz që jetojnë në zona rurale. Sistemi shëndetësor shqiptar vuan nga nën-financim i kujdesit primar shëndetësor”, thuhet në raport.

Por ky nënfinancim ka rënduar në xhepat e qytetarëve shqiptarë. “Shqiptarët paguajnë rreth 50% të shpenzimeve për marrjen e shërbimit shëndetësor nga xhepi dhe kjo është një shifër e përllogaritur nga Banka Botërore, ndërsa vet Ministria e Shëndetësisë në dokumentin strategjik pranon se shpenzimet nga xhepi janë mbi 40%”,  thotë Denisa Cenameti, menaxhere e projekteve të shëndetësisë në shoqatën “Togather for Life”, duke shtuar se kjo gjë godet më shumë grupet me nivel të ulët të ardhurash pasi ato kanë më pak mundësi për të përballuar vet shpenzimet shëndetësore.

Shëndetësia falas nuk ekziston si koncept dhe nuk mund të ekzistoj”, shprehet Denisa Cenameti, e cila shton se në marrëdhëniet e qytetarëve me sistemin shëndetësor përdorimi i këtij termi ka sjellë probleme, ka sjellë përplasje të qytetarëve me personelin shëndetësor pasi kanë besuar në shëndetësinë falas. Gjithashtu zonja Cenameti thekson rëndësinë e faktit që shëndetësia në Shqipëri është e nën-financuar duke u renditur e fundit në Europë dhe rajon për shpenzimet publike që akordon në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. “Madje me një diferencë shumë të thellë në raport me mesataren e vendeve të BE-së”, përfundon ajo./ Burimi: Denis Tahiri, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

sqAlbanian