denonco@transparency.com.al

Blog

Raporti/ Problemet e prokurimeve publike në pandemi, procedura jo transparente 

Në Shqipëri situata në menaxhimin e fondeve në sektorin e shëndetësisë ka mungesa të theksuara sa i takon transparencës dhe llogaridhënies. Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë dhe rajonin e Ballkanit që nuk ka publikuar të dhëna dhe raporte mbi efektivitetin e përdorimit të fondeve.

Institucioni më i lartë i auditit në vend, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), e pati mjaft të vështirë të gjurmojë përdorimin e fondeve në sektorin e shëndetësisë gjatë pandemisë për shkak të pa rregullshmërive ligjore, që shoqëruan procesin. Si pasojë e mungesës së konsistencës së kodeve të projekteve të dedikuara për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19 dhe rishikimeve të shumta pas akteve normative me disa VKM, gjurmimi deri në realizimin përfundimtar të fondeve COVID-19 rezultoi i vështirë, thuajse i pamundur

Të gjitha shtesat e fondeve për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të akorduara me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) përgjatë vitit 2020, nuk janë reflektuar në tabelat shoqëruese respektive të Akteve Normative. Për rrjedhojë, fondet që u akorduan për përballimin e pandemisë shkuan për shpenzime të tjera që nuk kishin lidhje me pandeminë.

Mungesa e transparencës në përdorimin e fondeve që shkuan për menaxhimin e pandemisë ishte aq e madhe sa u konsiderua si shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili nuk ka në thelb të punës së tij monitorimin e tenderëve. FMN informoi se prokurimet emergjente për përballimin e pandemisë nuk ishin transparente dhe i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit të intensifikojë kontrollet dhe t’i publikojë ato.

Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza” u renditen në krye të enteve publike për riskun e lartë të zbatimit të ligjit dhe të përdorimit të fondeve publike.
Nga 6440 procedura të publikuara për prokurime (pa përfshirë ankande dhe koncesione) gjatë vitit 2020, për 532 ose për 8.2% prej tyre janë paraqitur ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik. Nga numri total, MSHMS u rendit e dyta pas Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara për numrin e madh të ankesave, me 26 gjithsej ose rreth 5 % të totali të ankesave.

Nisur nga numri total i ankesave të shqyrtuara pranë Komisionit të Prokurimit Publik, rezulton se 42,7% (317) prej tyre janë ankesa të procedurave të prokurimit të llojit “mall”. MSHMS u rendit e dyta me 20 ankesa nga operatorët që kishin marrë pjesë në tenderët e zhvilluar me blerje mallrash.

Janë gjetur mospërputhje të të dhënave të kontratave të nënshkruara të publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik me ato të regjistruara në SIFQ (në sistemin e thesarit të Ministrisë së Financave). MSHMS u rendit e para për këtë shkelje, ku sipas APP, janë zhvilluar 601 procedura prokurimi, ndërkohë në SIFQ rezultojnë vetëm 5 kontrata.

Kliko për raportin e plotë

https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2022/02/Tenderet-ne-pandemi_Analiza-e-tendereve-emergjente-ne-Ministrine-e-Shendetesise-dhe-Mbrojtjes-Sociale.pdf

sqAlbanian