Pandemia COVID-19 ka çuar në një tronditje të thellë ekonomike që do të reflektohet në dekada. Kriza e COVID-19 pritet gjithashtu të rezultojë në një rritje të mprehtë të varfërisë ekstreme. Shqipëria ka kapacitete të dobëta fiskale pasi grumbullon pak të ardhura buxhetore nëpërmjet taksave dhe tatimeve dhe për rrjedhojë ka mundësi të dobëta financiare për të përballuar nevojat për më shumë shpenzime në shëndetësi
Shqipëria prej dy vitesh është duke menaxhuar një pandemi të paprecedentë në 100 vitet e fundit, por ndryshe nga sa pritej, ajo nuk po ushtron presion të lartë mbi fondet publike, së paku në aspektin e fondeve shtesë që duhen për përballimin e krizës shëndetësore.
Pavarësisht emergjencës pandemike, shpenzimet për sektorin e shëndetësisë në vitin 2020, u rritën me ritme më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore.
Më 2020 buxheti i shtetit çoi në 9,62 për qind nga shpenzimet totale për financimin e sektorit të shëndetësisë, përfshirë edhe shpenzimet e rimbursimit të barnave, me një rënie prej 0,8 për qind në raport me vitin 2019, duke zbritur në nivelin më të ulët që nga viti 2016.
Të dhëna nga Eurostat tregojnë se shpenzimet për shëndetësinë për Shqipërinë vijuan të ishin më të ulëtat në Evropë dhe në vitin pandemik 2020. Shpenzimet nominale për banor në sektorin e shëndetësisë, të matura në Euro, sipas barazisë së fuqisë blerëse ishin 297 Euro në vitin 2020, e dyta më e ulët në Evropë pas Maqedonisë së Veriut (255 Euro) dhe shumë më e ulët sesa mesatarja e bashkimit Evropian (27 vende) prej 2614 Euro.
Për vitin 2020, shpenzimet totale faktike për shëndetësinë ishin 67.5 miliardë lekë (549 milionë Euro), me një rritje prej 10.4 për qind me bazë vjetore.
Nëse shpenzimet totale të MSHMS do të zhvishen nga shërbimet e kujdesit social dhe rehabilitimin e të përndjekurve, që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me kujdesin shëndetësor, fondi total për “Planifikim, Menaxhim, Administrimi”, “Shërbime të Kujdesit Shëndetësor Parësor”, “Shërbime të Kujdesit Shëndetësor Dytësor”, “Shërbime të Shëndetit Publik” “Shërbimi Kombëtar i i Urgjencës Mjekësore” për vitin 2020 rezultoi 38.7 miliardë lekë (314.6 milionë Euro) në vitin 2020, me rritje minimale për 6.5 për qind me bazë vjetore, në një vit ku emergjenca mjekësore ishte parësore.
Fondet kryesore të shëndetësisë shkojnë për zërin e “Trajtimi i pacientëve të shtruar në spitale”, që në vitin 2020 ishte 19 miliardë lekë, me një rritje prej 3.7 për qind nga viti i kaluar, duke përbërë gati 50 për qind të buxhetit të shëndetësisë, pa përfshirë programet e “Përkujdesit social” dhe “Rehabilitimit të të përndjekurve politikë”.
Rënien më të lartë të buxhetit e shënoi “Numri i vizitave në Kujdesin Shëndetësor Parësor”, që zbriti në 2.2 miliardë lekë, me tkurrje 22.7 për qind, si rrjedhojë e hezitimit të pacientëve që vuanin nga shqetësime të tjera, për të shkuar në spitale gjatë periudhës së pandemisë.
Shpenzimet totale buxhetore në dy vitet së bashku 2020 dhe 2021 arrijnë një vlerë të përgjithshme 1,1 triliardë lekë ose 9,3 miliardë Euro.
Pandemia COVID-19 e ka përkeqësuar edhe më tej tendencën e pagesave të larta nga xhepi për t’u kuruar nga sëmundjet, sipas të dhënave indirekte për rritjen e shpenzimeve për shëndetin në buxhetin e njësive familjare. Sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për shëndetin u rrit në 5.4 për qind në vitin 2020, nga 4.3 për qind vitin e mëparshëm, duke arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2007, kur raportohen të dhënat.
Në vitin 2020, u regjistruan 27,605 vdekje15 në vend, me një rritje prej 26.4 për qind në krahasim me mesataren e 2016-2019 (ose 5,764 vdekje më shumë), e ndikuar nga përkeqësimi i pandemisë në pjesën e dytë të vitit.
Kufizimi i ndërhyrjeve jo urgjente gjatë pandemisë, ulja e kontrolleve bazë, reduktimi i trajtimeve për të sëmurët kronikë, ulja e konsultave periodike, si dhe reduktimi i depistimeve për tumoret rrezikojnë në të ardhmen përkeqësim të gjendjes klinike dhe rritje të fataliteteve edhe pas pandemisë për personat me tumor, probleme në zemër, veshkat dhe hipertension
Në vitin 2020, numri i personave të operuar ra me 27për qind, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2012, kur raportohen të dhënat.
Të dhëna operative nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se rreth 20 mijë persona po vuajnë “COVID-in e gjatë”. Depresioni dhe prekja e sistemit nervor është një nga simptomat kryesore e “COVID të gjatë”, në 4-mujorin e parë të vitit 2021, shtrimet në pavijonet e spitalit psikiatrik u rritën me 68% në krahasim me 4-mujorin e parë të vitit 2020.
Kliko linkun për të lexuar raportin e plotë