Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, qytetarët shqiptarë i paguajnë 60% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, ka publikuar së fundmi të dhënat e përditësuara mbi shpenzimet e shëndetit në nivel global, ku Shqipëria renditet e para në rajon për nivelin e lartë të shpenzimeve që qytetarët mbulojnë nga xhepi i tyre.
Sipas të dhënave të fundit nga viti 2021, një shqiptar shpenzon mesatarisht në vit 460 USD për shëndetësinë, të cilat i mbulon vetë nga financat e tij.
Egla Bardhi, drejtuese ekzekutive e organizatës “Together for Life” identifikoi disa prej faktorëve kryesorë që ndikojnë në rritjen e shpenzimeve personale të qytetarëve shqiptarë në shëndetësi.
Sipas Bardhit, një prej arsyeve kryesore që qytetarët i mbulojnë nga xhepi i tyre kostot e shëndetit është sepse ligji për kujdesin shëndetësor nuk zbatohet.
“Vendi ynë është ende i paaftë për të ofruar shërbime shëndetësore sipas protokolleve që vetë ai i ka miratuar,” tha Bardhi.
“Ato paketa shërbimesh që tashmë janë miratuar nuk ofrohen për pacientët,” shtoi ajo.
Ngjashëm, edhe Rigels Xhemollari nga organizata Qendresa Qytetare thekson se shteti nuk ka arritur t’i mbajë premtimet në lidhje me sektorin e shëndetësisë.
“Vendi që premtoi i pari shëndetësinë falas në rajon, doli i pari për shëndetësi private në Europë, ku qytetari blen agen, serumin, ilaçin, mundësisht edhe ryshfetin,” tha ai.
Xhemollari i theksoi se gjatë periudhës së pandemisë u rritën në mënyrë eksponenciale kostot e shëndetit.
“Prezenca e shtetit ishte e papërfillshme, përveç reanimacionit kur gjendja përkeqësohej deri në shtrim,” shpjegoi ai. “Vizitat, ekot, barnat dhe çdo shërbim shtesë që kërkonte trajtim të COVID-19 zgjidhej në mënyrë private,” shtoi Xhemollari.
Mungesa e barnave dhe ilaçeve nuk u vu re vetëm gjatë nevojave të trajtimit të virusit Sars-CoV-2, por ndjehet ende edhe sot.
“Një pacient në Onkologjik i cili ka nevojë për të realizuar një terapi sipas protokollit, e ka të pamundur për shkak të mungesës së buxhetit për ta ofruar shërbimin, dhe si pasojë pacienti detyrohet të blejë medikamente shumë të shtrenjta për kimioterapinë,” tregon Egla Bardhi, duke shtuar se këtë mund ta bëjnë vetëm ata pacientë që kanë mundësi ekonomike.
Të njëjtin fenomen e konfirmon edhe drejtuesi i “Qëndresa Qytetare”, Rigels Xhemollari.
“Një pjesë e shërbimit apo produkteve blihen nga vetë qytetarët, sepse një pjesë e barnave të kushtueshme të kimioterapisë mungojnë në QSUT, si rasti i medikamentit ‘Velcade’”, thekson ai.
Sipas aktivistëve për të drejtat e pacientëve, një tjetër faktor që ndikon në rritjen e kostove të shëndetësisë që qytetarët i mbulojnë vetë është edhe fenomeni i “ryshfeteve” ndaj mjekëve.
“Korrupsioni i vogël gjithashtu është prezent duke i shtuar këto kosto, ose duke i detyruar qytetarët të zgjedhin spitalet private,” tha Xhemollari.
Sipas Egla Bardhit, pacientët i japin këto ryshfete me dëshirën dhe besimin se ata do të marrin një shërbim më të mirë.
“Edhe pagesat që ndodhin ndaj personelit shëndetësor gjithashtu rrisin koston, me besimin që mund të marrin një shërbim më të mirë, teksa këto fenomene nuk ndodhin në vendet europiane,” tha Bardhi.
Bardhi shtoi se një tjetër faktor që ka ndikuar që qytetarët të paguajnë vetë për kostot e shëndetit është edhe cilësia e ulur e barnave që ndodhen në listën e medikamenteve të rimbursueshme.
Sipas saj, që prej ndryshimeve ligjore të vitit 2014, lejohen të futen në treg medikamente që nuk janë nga tregu i BE, që kanë sjellë sipas Bardhit “ulje të cilësisë së medikamenteve”.
“Në sistemin shëndetësor futen medikamente të reja shumë herë më të mira se ato që ndodhen në listën e barnave të rimbursueshme dhe për të patur një mjekim më të mirë, pacientët i blejnë vetë këto medikamente,” shtoi drejtuesja e “Together for Life”.
Humbja e besimit të qytetarëve në sistemin shëndetësor publik
Rritja e shpenzimeve shëndetësore që qytetarët detyrohen të mbulojnë nga xhepi i tyre përkthehet edhe në uljen e besimit të tyre ndaj sistemit shëndetësor të premtuar nga shteti.
“Kjo përkthehet në ulje të besimit te propaganda e shëndetësisë falas, te sistemi shëndetësor publik dhe tek pagesat e sigurimeve shëndetësore, të cilat janë rritur me rritjen e pagës minimale dhe nuk na ofrojnë mbrojtje minimale shëndetësore,” tha Xhemollari.
Sipas drejtori ekzekutiv të “Qëndresa Qytetare”, besimin e zbeh akoma më shumë fakti që disa prej koncesioneve kryesore të shëndetësisë tashmë ndodhen nën hetim, dhe jo në shërbim të pacientëve.
“Koncesionet kryesore të shëndetësisë që do të mundësonin një shërbim më cilësor dhe dinjitoz ndaj qytetarit janë nën hetim nga SPAK, dhe me shumë mundësi nuk kanë arritur qëllimin e pritur”, theksoi ai.
Sipas Egla Bardhit, duke qenë se qytetarët kanë një gamë më të ulët të shërbimeve që marrin, si rrjedhojë edhe besimi i tyre në këto shërbime është ulur.
“Një pjesë e mirë e pacintëve i drejtohen edhe klinikave private jashtë vendit, jo vetëm atyre private në vend,” tha Bardhi.
Ajo theksoi se Shqipëria ka një prej buxheteve më të ulëta në rajon për sistemin shëndetësor, ndaj edhe ky sistem është i mangët dhe i pabesueshëm.
“Ky fenomen nuk ka ndodhur së fundmi në vendin tonë, por ka 30 vite që ndodh,” përfundoi ajo.
Burimi: Reporter.al