denonco@transparency.com.al

Blog

Sistemi shëndetësor i Shqipërisë mbetet i fragmentuar

Në raportin “Mbi investimet publike në Shqipëri 2014-2024” publikuar nga Together For Life, mbështetur financiarisht nga NDI (National Democratic Institute) diskutohen dhe renditen gjetje dhe rekomandime përsa i përket mungesës së qartësisë së procedurave të vendimmarrjes, mungesës së publikimit të raporteve të monitorimit të buxhetit apo të dokumenteve të tjera të faqes zyrtare të MSHMS, vlerësime të efiçiencës pas përfundimit të fazës së zbatimit të projekteve me financim nga buxheti i shtetit. E gjitha kjo bëhet në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies për të ndjekur fazat e zbatimit të projekteve dhe për të interpretuar e analizuar masën e buxhetit dhe shpenzimet që bëhen për sektorin e shëndetësisë.

Referuar dokumentacionit zyrtar, stafi që propozon projektet e investimeve publike është stafi qendror i MSHMS dhe nuk del qartë nëse adresohen apo jo nevojat e vërteta të spitaleve apo qendrave shëndetësore. Vendimmarrja për projektet e investimeve mbetet në dorë të titullarit të institucionit, i cili vendos mbështetur në prioritetet politike.

Sistemi shëndetësor i Shqipërisë mbetet i fragmentuar. Shërbimet e kujdesit shëndetësor vazhdojnë të menaxhohen në mënyrë qendrore nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxherët e ofruesve të shërbimeve në sektorin publik kanë pak autonomi ose fleksibilitet dhe burimet dhe vendimmarrja financiare mbeten të centralizuara.

Nuk gjejmë të publikuara në raportet e monitorimit të buxhetit apo në dokumente të tjera të faqes zyrtare të MSHMS vlerësime të efiçiencës pas përfundimit të fazës së zbatimit të projekteve me financim nga buxheti i shteti, për të konkluduar bazën mbi të cilën bëhet prioritarizimi i ardhshëm i projekteve të investimeve.


Të analizuara në total, investimet publike përgjatë periudhës 2014-2024 fokusohen në masën 60% të tyre në ndërtime dhe rikonstruksione objektesh shëndetësore (spitale, qendra shëndetësore etj), ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale përgjatë 2014-2024 shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore.


Referuar ndarjes rajonale të investimeve publike, 82% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetin e Tiranës. Pjesa tjetër e qyteteve përfitojnë në mënyrë sporadike investime publike, të cilat kryesisht janë investime në rikonstruksione ndërtesash.

Referuar dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, nuk ka një plan investimesh publike për sektorin të përfshirë në të, duke na bërë të pamundur të analizojmë se mbi çfarë bazash është bërë planifikimi i investimeve publike për periudhën 2021-2024 e rrjedhimisht për vitet pasuese.

Në përfundim të këtij raporti, rekomandojmë:
1. Në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies, nevojitet të qartësohet me procedura të mirëfillta linja e vendimmarrjes mbi projektet e investimeve publike në shëndetësi, pasi del qartë se ky proces bëhet nga lart-poshtë, dhe jo nga poshtë-lart sikurse duhet të jetë.

2. Nevojitet të delegohet autoriteti për vendimmarrje financiare të investimeve publike nga niveli qendror në nivelin e një autoriteti të pavarur, i cili koordinon nevojat e qendrave shëndetësore dhe spitalore me mundësitë financiare për adresimin e tyre.

3. Nevojitet të ndiqen, monitorohen dokumentet strategjikë dhe rezultatet e premtuara për t’u arritur në to, pasi ka një devijancë të lartë midis asaj çfarë planifikohet dhe asaj çfarë realizohet. Rezultatet e këtyre raporteve duhet të jenë publike.

Raportin e plotë e gjeni në këtë link: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/07/Raport-mbi-investimet-publike-ne-shendetesi-2014-2024.pdf

sqAlbanian