denonco@transparency.com.al

Blog

Abuzimet me tendera dhe kontratat sekrete në shëndetësi, Tomorri: Menaxhimi i parave për Covidin, masakër buxhetore

Gazetari i EkonomisëKlodian Tomorri ka komentuar disa nga kontratat e lidhura nga Ministria e Shëndetësisë me kompani të ndryshme, gjatë periudhës së Covid-it duke evidentuar shkelje me efekt financiar.

Statusi i plotë

Në 27 mars të vitit 2020, Ministria e Shëndetësisë lidhi një kontratë sekrete me kompaninë TBS 96 shpk për blerjen e 54 respiratorëve me afate lëvrimi: 20 respiratorë brenda 7 ditëve dhe 34 respiratorë brenda 25 ditë nga dita e hyrjes në fuqi të kontratës.

Vlera e kontratës ishte 800 mijë euro me TVSH.

Nga e gjithë sasia kompani dorëzoi vetëm 5 respiratorë. Këta 5 respiratorë qëndruan fizikisht 1 muaj në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe nuk punuan asnjë ditë të vetme. Ndaj kompanisë nuk u mor asnjë mase për mosrespektimin e kontratës. Anëtaret e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe ata të mbikëqyrjes së kontratës vazhdojnë ndajnë lekë nëpër tenderat e shtetit edhe pse rrezikuan shëndetin dhe jetën e popullatës.

Në 3 qershor 2020, Ministria e Shëndetësisë lidhi një kontratë pa garë me kompaninë OES Distrimed për blerjen e 50 monitorëve multi-parametrik për masat anti COVID-19. Vlera e kontratës 550 mijë euro.

Në specifikimet teknike procedurës, pjesë e DST kërkohej që monitorët të ishin me rezolucion 1024*768. Por, kompania i dorëzon me rezolucionin 800*600. Këtu u vodhën 150 mije euro. ‘Paratë u paguan për haviar, por qytetarëve u blenë pras’. Askush nuk u penalizua. Përkundrazi! OES Distrimed është një kompani shumë e dashur për Ministrinë e Shëndetësisë dhe vazhdon merr mesatarisht 10 milionë euro tendera në vit nga Ministria apo institucionet e varësisë.

Në mars 2020, Ministria e Shëndetësisë lidhi një kontratë me kompanitë Farma Net Albania dhe Euromed për blerjen e materialeve për mbrojtje personale nga COVID. Vlera e kontratës 3.2 milionë, procedura e prokurimit pa garë me ftesë për ofertë. Që të shpëtonte Ministria e Shëndetësisë nga burgu procedura u miratua me vendim të posaçëm nga Këshilli i Ministrave.

Procedura pa garë u justifikua nga Ministria e Shëndetësisë me kushtet e emergjencës të krijuara nga pandemia. Por çfarë ndodh me pas?

Ngrihet Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe negocion afatet e dorëzimit të mallrave duke vendosur që 15 për qind do dorëzoheshin brenda 7 ditëve nga lidhja e kontratës, 75 për qind deri në 6 javë dhe 10 përqind deri ne 8 javë. Afati 6 javë dhe 8 javë denatyron totalisht procedurën e emergjencës.

Pra, përdoren emergjencën për të bërë tenderin pa garë, por dorëzimin e mallrave e lanë me procedurë normale. Këtu nuk dihet sa janë vjedhur, por nuk është e vështirë të imagjinohet.

Këto ishin vetëm 3 procedura. Por, për pandeminë u shpenzuan 50 milionë euro me këto procedura. Një masakër e vërtetë buxhetore. Kanë kaluar 3 vjet dhe të gjithë vazhdojnë biznesin si zakonisht. Zyrtaret e Ministrisë së Shëndetësisë ndajnë lekë nëpër tendera. Kompanitë marrin miliona. Dhe popullit i mbetet vetëm të bëjë pyetjen: Sa dardha janë ngrënë pa lejen e komandantit tek këto 50 milionë eurot?

Në gjithë Europën u arrestuan me qindra zyrtare të shëndetësisë për tenderat e Covid. Italia futi në burg edhe komisarin e jashtëzakonshëm, njeriu që menaxhoi pandeminë në Itali. Ndërsa këtu, që puna të bëhet tamam duhet që qeveria të shpallë Ministren e Shëndetësisë si ministren më të suksesshme të kabinetit. Se është e vetmja në Evropë që nuk e ngjeu dorën hiç me tenderat e Covidit.

sqAlbanian