Kontrolli i lartë i shtetit ka publikuar Raport Përfundimtar “Auditimi Përputhshmërie” në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Auditimi u krye me bazë risku, për vlerësimin e saktësisë së aktiviteteve dhe transaksioneve financiare, çështjeve që lidhen me organizimin dhe funksionimin e institucionit, duke përfshirë saktësinë e paraqitjes së të ardhurat dhe shpenzimet, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore dhe me parimet e ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin, vlerësimin e saktësisë së informacioneve në të gjitha aspektet materiale në përputhje me kuadrin ligjor e rregullator mbi bazën e të cilit ushtron veprimtarinë “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, etj
Nga auditimi mbi zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin, rezultoi se:
Nuk ekziston një protokoll i saktë dhe i plotë i ndërhyrjeve/seteve, numri i seteve në aneks kontratë dhe faktit sipas diagnozave të aplikuara, pasi ka një numër shumë më të madh diagnozash/ndërhyje në krahasim me numrin e seteve të përdorura. Në skedarët për përdorimin e seteve administruar nga DSHSU, janë përshkruar dy rubrika ku në njërën shënohet diagnoza dhe në tjetrën lloji ndërhyrjes;
Është ndryshuar numri i instrumenteve në mënyrë të pa argumentuar për disa prej seteve nga viti në vit për të njëjtën diagnozë/ndërhyrje kirurgjikale;
Konfigurimi i seteve dhe ndryshimi i kompleksiteteve ka sjellë vështirësi në monitorimin e kontratës;
Ka disa raste që për të njëjtat ndërhyrje/sete janë aplikuar 2 dhe/ose 3 nivele të ndryshme kompleksiteti, me pasoja në financimin e kontratës për tavanin buxhetor përkatës dhe kufizimin e ndërhyrjeve për pacientet;
Gjithashtu nga përpunimi i të dhënave të administruara për vitin 2021 konstatohet se për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale, të realizuar në të njëjtin spital apo spital tjetër, faturimi kryhet sipas kompleksiteteve të ndryshme, dhe për pasojë çmime të ndryshme. Kjo mënyrë aplikimi e nivelit të kompleksitetit gjatë zbatimit të kontratës, shkakton pasoja financiare shtesë, krahasuar me efektin e përdorimit të kompleksitetit më të ulët të mundshëm, e lidhur kjo me çmimin përkatës.
Në këtë kuadër, kanë rezultuar 21,174 raste, në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i mesëm dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë, si dhe janë 4,725 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet të lartë, megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje kirurgjikale është faturuar si kompleksitet i mesëm. Në se për këto ndërhyrje do të përdorej kompleksiteti i mesëm, do të ulej financimi i kësaj kontrate për 87,318,000 lekë me TVSH.
Gjithashtu, në total paraqiten 16,710 raste në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i ulët dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë apo kompleksitet i mesëm. Nga auditimi konstatohet se janë 5,924 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet i lartë dhe 8,057 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet I mesëm megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje është faturuar si kompleksitet i ulët. Në se për këto ndërhyrje do të përdorej niveli i ulët i kompleksitetit, financimi kësaj kontrate do të ulej me vlerën 81,214,560 lekë me TVSH.