denonco@transparency.com.al

Blog

TFL bën ankim administrativ, KMD vendos se fëmijët me leucemi janë diskriminuar rëndë

Mungesa e barnave në Shërbimin e Onkohematologjisë, Pediatrike në QSUNT, ka sjellë si pasojë diskriminimin e fëmijëve me leucemi, e konstatuar me Vendimin Nr. 161, Datë 01/09/ 2021, nga Komisioneri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit (KMD).

Pas një pune të gjatë në terren, prej më shumë se 6 muajsh, me komunikime të vazhdueshme me familjarët e pacientëve të vegjël me leucemi, ku janë siguruar fatura dhe receta medikamentesh të blera jashtë spitalit, me kosto të larta, dhe pas komunikimeve zyrtare dhe jo zyrtare me institucionet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Shoqata “Together for Life” ka paraqitur një ankesë pranë institucionit të pavarur KMD ku ka pretenduar diskriminimin e fëmijëve të sëmurë.

Barnat e konstatuara në mungesë, shërbejnë për trajtimin me kimioterapi të fëmijëve me leucemi. Trajtimi mjekësor, në çdo rast duhet të sigurohet në sasinë, cilësinë dhe kohën e duhur. Por, këto elementë marrin një rëndësi akoma më thelbësore, për sa i përket trajtimit me kimioterapi të kësaj sëmundje. Mos marrja në dozën dhe kohën e duhur të trajtimit, në raport me vulnerabilitetin e sëmundjes, sjell pasoja të rënda në shëndetin e fëmijëve dhe ul mundësinë e tyre për t’i mbijetuar kësaj sëmundje.

Në lidhje me barnat, Metroteksat, Acid Folinic (Leucovorin) dhe Mercaptopurina, bazuar në informacionin dhe aktet e administruara gjatë shqyrtimit të ankesës, rezultoi e provuar se, gjatë vitit 2020-2021, këto barna kanë qenë në mungesë dhe nuk janë ofruar për fëmijët me leucemi që trajtohen në Shërbimin e Onkohematologjisë.

Komisioneri ka vlerësuar se, veprimet dhe mosveprimet e ndërmarra nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza në cilësinë e ofruesit të kujdesit shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në cilësinë e autoritetit më të lartë shëndetësor, e cila ka detyrimin për të organizuar dhe mbikëqyrur ofrimin e kujdesit shëndetësor, nuk kanë qenë aspak efiçente dhe efikase, parime këto që duhet të udhëheqin ofrimin e kujdesit shëndetësor. Pavarësisht nevojës emergjente për sigurimin e këtyre barnave, mungesa e të cilave sjellë pasoja shumë të rënda në shëndetin e fëmijëve të cilët vuajnë nga leucemia.

Dështimi i procedurave të prokurimit për barna kaq thelbësore për të siguruar kujdesin shëndetësor të fëmijëve me leucemi, nuk mund të shërbejë si justifikim i aryeshëm për mungesën e barnave.
Mungesa e barnave dhe pamundësia për sigurimin e tyre nga ana e familjarëve ose prindërve të fëmijëve, për shkak të gjendjes ekonomike, potencialisht ka prekur në mënyrë disproporcionale fëmijët që vijnë nga familje të varfra apo në gjendje jo të mirë ekonomike.

Leucemia është një sëmundje e rëndë e gjakut, e njohur ndryshe edhe si kanceri ose tumori i gjakut dhe konsiderohet si një nga sëmundjet e rënda të gjakut. Nga informacioni dhe aktet e administruara, rezultoi e provuar mungesa e barnave të nevojshëm për trajtimin e fëmijëve me leucemi, të cilët trajtohen në Shërbimin e Onkohematologjisë Pediatrike në QSUNT.

Burimi: Shoqata Together for Life

sqAlbanian