denonco@transparency.com.al

Blog

Vazhdon Odisea e abuzimit me listën e rimbursimit të barnave

Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan, i cili prej tre vitesh nuk ka futur asnjë bar të ri në rimbursim edhe pse ligji e detyron qeverinë që të përditësojë listën çdo vit. Kjo jo vetëm që mban padrejtësisht kostot e larta për buxhetin, por privon qytetarët nga alternativat e reja të kurimit, që janë regjistruar gjatë tre viteve të fundit.

Ministria e Shëndetësisë vazhdon ta mbajë të bllokuar listën e barnave pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar, ndërkohë që nën zë sipas Kapital.al justifikohet se nuk ka fonde. Por fondet po vidhen pikërisht nga bllokimi i listës dhe shpenzimi i parave për barna, të cilat paguhen padrejtësisht me çmime të larta, ndërkohë që kanë humbur patentën dhe në treg kanë dalë alternativa më efektive shumë më të lira.

Janë miliona euro që do të kurseheshin ndër vite, të cilat mund të përdoreshin për futjen e barnave te reja, për terapi të cilat nuk kanë trajtim ose e kanë atë shume të kufizuar.

Kostoja totale e rimbursimit të barnave qëndronte në nivelin mesatar prej 11 miliardë lekësh për periudhën 2020-2022 dhe ishte planifikuar në nivelin 11.6 miliardë lekë për vitin 2023. Ndërkohë që kostoja totale e rimbursimit rritet, ajo që vihet re nga të dhënat e raportuara nga FDSKSH është që numri i pacientëve përfitues është në rënie. Kjo dëshmon që kostoja e rimbursimit të barnave vijon të rritet për një pacient. Në raportet vjetore të FDSKSH argumentohet që kjo rritje e kostos, vjen për shkak të përfshirjes në listën e barnave të rimbursueshme të llojeve të reja të barnave për disa kategori sëmundjesh me prevalencë të lartë të cilat rezultojnë të kushtueshme. 1

Në një intervistë për Top Channel, Diana Toma shprehet se lista ka mbetur ajo e 2021, në të cilën nuk janë futur as barna të reja dhe as nuk është zgjeruar. Ajo vazhdon se pacientët për shkak të mungesës në listën e rimbursimit, ata që s’kishin mundësi të paguanin nuk e kanë marrë variantin e dytë, ose pacientët që e shikonin si domosdoshmëri marrjen e ilaçeve ishin të detyruar të shpenzonin një variant që nuk mbulohej 100%. 2

Gjithashtu ekziston dhe një anë tjetër e këtij problemi: inventari me tepricë i barnave dhe rimbursimi fiktiv. Sipas një artikulli te Kapitali3, një farmaci deklaron se ka blerë 100 njësi të ilaçit X dhe se ka shitur 80 njësi, për të cilat farmacia ka marrë rimbursimin përkatës nga shteti dhe rrjedhimisht duhet të kishte gjendje në inventar fizikë 20 njësi të tjera, por nga kontrolli i inventarit është konstatuar se gjendja fizike e barit në inventar është shumë më e lartë.

Nga raporti i Together For Life thuhet se në dokumentin e PBA 2022-2024 të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, raportohet që numri i barnave të planifikuara për t’u rimbursuar për vitet 2022-2024 respektivisht do të jetë rreth 605, 615 dhe 625. Në raportin e monitorimit vjetor të buxhetit për vitin 2028 të publikuar nga MSHMS nuk raportohet për numrin faktik të barnave të rimbursuara në 2022 për të bërë të munduar dhe analizën e kostos së planifikuar me atë faktike por vetëm për numër pacientësh që përfitojnë nga rimbursimi.

Por ajo që vihet re është që në dokumentin e rradhës së PBA për vitet 2023-2025 raportohet që numri faktik për 2022 është 1191 barna dhe planifikimi për periudhën afatmesme është 1200, 1210 dhe 1220 . Ndryshimi i planifikimit nga një vit në vitin tjetër me 100% më shumë tregon një inkonsistencë të lartë në planifikim dhe një mungesë të theksuar të transparencës lidhur me mënyrën e shtimit të barnave në listë në mënyrë të shumëfishuar.

Materiali krijon konfuzion pasi nuk del qartë sa është numri barnave në listën e barnave të rimbursueshme dhe si është shtuar numri i barnave me dyfish në fakt nga ato të planifikuara në dokumentin e PBA 2022-2024, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e raportimit të të dhënave nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale dhe FDSKSH.

“Në momentin që lista nuk ka dalë brenda afatit kohor, gjithë sistemi farmaceutik ecën me një hap më të shkurtuar. Kjo sepse lista shoqërohet me ndryshimin e përvitshëm të sistemit të barnave. Për subjektet kjo përkthehet me dëmtim, sepse stoku nuk përkon me çmimin e ri,” shprehet Diana Toma.

Ky lloj sistemi dhe shumë sisteme të tjera “mbahen kaotike në mënyrë, që të mbeten shtigje të hapura për abuzime”, pavarësisht “gjithë shpenzimet e larta dhe tenderat pafund që institucionet publike kanë bërë në fushën dixhitaleKjo është një skemë e mirëfilltë, e cila vjedh miliona euro në vit nga paratë e qytetarëve, por që askush nuk ka vullnetin ta gjurmojë deri në fund.” citon Kapital.

  1. Ky artikull është pjesë e raportit “FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR: A mbulon skema nevojat reale për kujdes shëndetësor?” zhvilluar dhe publikuar nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy. Për më tepër: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/03/Raport_A-mbulon-Skema-nevojat-reale-per-kujdes-shendetesor.pdf ↩︎
  2. https://youtu.be/ZXla83_GeuM?si=F2doeTT4V–H1hOU ↩︎
  3. https://www.kapitali.al/rikthehen-rimbursimet-fiktive-te-ilaceve-farmacite-dalin-me-teprica-fizike-barnash-te-rimbursuara/ ↩︎
sqAlbanian